Ansambli “Vatra”organizon festën e 28 Nëntorit në Bülach të Zvicrës

Nacionale

Ansambli shqiptar “Vatra” do të organizojë më 21 nëntor 2026 një mbrëmje festive me rastin e 28 Nëntorit, Ditës së Flamurit dhe Pavarësisë së Shqipërisë. Aktiviteti do të mbahet në adresën Grampenweg 5, 8180 Bülach, dhe do të ndërthurë promovimin e librit, muzikën dhe vallet tradicionale shqiptare. Programi do të nisë në orën 17:00 me […]

Madhësia e shkronjave

Ansambli shqiptar “Vatra” do të organizojë më 21 nëntor 2026 një mbrëmje festive me rastin e 28 Nëntorit, Ditës së Flamurit dhe Pavarësisë së Shqipërisë. Aktiviteti do të mbahet në adresën Grampenweg 5, 8180 Bülach, dhe do të ndërthurë promovimin e librit, muzikën dhe vallet tradicionale shqiptare.

Programi do të nisë në orën 17:00 me promovimin e një libri, ndërsa pas përfundimit të tij do të organizohet një pritje për pjesëmarrësit.

Mbrëmja festive do të vazhdojë nga ora 20:00 me muzikë dhe valle shqiptare, ku është paralajmëruar edhe pjesëmarrja e DJ Cufa. Hyrja do të kushtojë 10 franga zvicerane.

E themeluar në vitin 1994 në Bülach, Ansambli “Vatra” ka mbi tri dekada që kontribuon në ruajtjen dhe promovimin e kulturës, folklorit dhe traditave shqiptare në Zvicër.

Sipas të dhënave të publikuara nga shoqata, ajo numëron mbi 80 anëtarë aktivë dhe organizon aktivitete artistike, duke përfshirë vallet popullore, prezantimin e veshjeve tradicionale dhe pjesëmarrjen në festivale kulturore.

Një rëndësi të veçantë i kushtohet edhe përfshirjes së fëmijëve dhe të rinjve, përmes të cilëve synohet përcjellja e trashëgimisë shqiptare te brezat e rinj të diasporës.

Mbrëmja e 21 nëntorit synon të bashkojë komunitetin shqiptar në kantonin e Zürichut në prag të festës kombëtare të 28 Nëntorit, duke promovuar kulturën dhe traditat shqiptare përmes një programi që ndërthur letërsinë, muzikën dhe folklorin./Telegrafi/

Komentet