Arnis Ademi, talenti i Fiorentinës që është afër debutimit në Serie A: Kosova më ka kontaktuar, kam lidhje emocionale

Sport

Kombëtarja e Kosovës ka nisur punën për ta bindur edhe mbrojtësin e talentuar të Fiorentinës, Arnis Ademi. Këtë e ka konfirmuar vetë futbollisti në një intervistë për Telegrafin. Ademi, është lojtari tjetër nga Kosova që së shpejti mund të debutojë në Serie A, ku Fiorentina e ka ftuar në dy ndeshjet e fundit të kampionatit […]

Madhësia e shkronjave

Kombëtarja e Kosovës ka nisur punën për ta bindur edhe mbrojtësin e talentuar të Fiorentinës, Arnis Ademi. Këtë e ka konfirmuar vetë futbollisti në një intervistë për Telegrafin.

Ademi, është lojtari tjetër nga Kosova që së shpejti mund të debutojë në Serie A, ku Fiorentina e ka ftuar në dy ndeshjet e fundit të kampionatit italian, por fatkeqësisht nuk ka zhvilluar asnjë minutë.

19-vjeçari në një intervistë të gjatë për Telegrafin ka deklaruar se është plotësisht i motivuar për ta dëshmuar veten, ndërsa ndihet falënderues për vlerësimin që po ia jep skuadra italiane.

“Rruga është ende e gjatë dhe mendoj se asgjë në jetë nuk vjen rastësisht. Jam munduar gjithmonë të punoj fort dhe të jem i përqendruar. Fakti që më kanë ftuar tregon interesimin dhe vlerësimin e klubit për mua dhe më jep edhe më shumë motivim për të punuar fortë, në mënyrë që të jem gati kur të vijë momenti ime”.

Ademi ndër të tjera edhe ka shpjeguar si iu bashkua Fiorentinas, duke zbuluar se në garë ka qenë edhe Atalanta, por në fund projekti i trajnerit Paolo Vanoli e bindi.

“Interesimi nga Fiorentina dhe Atalanta kishte nisur disa muaj para transferimit. Të dy klubet më kishin ndjekur në disa ndeshje me Kombëtaren U19 të Zvicrës. Në verën e vitit 2025, pata një mundësi për t’u transferuar te Atalanta, por në fund u arrit marrëveshja me Young Boys për vlerën e transferimit”.

“Më pas Fiorentina tregoi interesim të madh dhe këmbënguli për të më afruar në klub. Pas shumë bisedimeve dhe diskutimeve me menaxherët, vendosëm t’i besonim projektit të Fiorentinas. Ishte një vendim i rëndësishëm për mua dhe karrierën time, ndaj e pamë si mundësi për të vazhduar zhvillimin tim si futbollist”.

“Siç e përmenda më herët, pjesë e projektit të Fiorentinës ishte integrimi sa më i shpejtë me ekipin e parë. E dija që kjo varej shumë nga unë, puna, përkushtimi dhe ajo që do të tregoja në fushë dhe stërvitje”.

Ai ndër të tjera po stërvitet vazhdimisht me ekipin e parë të Fiorentinës, ku lojtari po merr përvojë të madhe, pranë shumë emrave, si ish-portieri i Manchester Unitedit, David de Gea.

“Fatkeqësisht, sezoni nuk më nisi siç doja sepse pësova lëndim muskulor që ma vështirësoi përshtatjen me klubin e ri. Megjithatë, vazhdoja të punoja me durim dhe të jepja maksimumin, ndaj mendoj se e kam merituar mundësinë për t’iu bashkuar ekipit të parë”.

“Stërvitjet me ekipin e parë kanë intensitet dhe ritëm krejt tjetër. Për mua, është një përvojë shumë e mirë dhe një motivim edhe më i madh për të punuar çdo ditë, për t’u përmirësuar dhe për të qenë gati kur të më jepet rasti”.

I pyetur për debutimin e mundshëm në Serie A, Ademi nënvizoi se me durim do t’ia dalë objektivit.

“Detyra ime është të jap maksimumin çdo ditë dhe të jem gati për ta shfrytëzuar mundësinë kur të më jepet. Debutimi varet nga trajneri dhe e respektoj këtë. Ajo që më takon mua është të qëndroj i përqendruar te puna, të përmirësohem dhe të ndihmoj skuadrën sa herë që më jepet mundësia. Natyrisht, do të ishte një gëzim i madh për mua të debutoja”.

“Synimi im për këtë vit është i qartë, të integrohem sa më shumë me ekipin e parë dhe të bëj debutimin. Po punoj fortë për t’i arritur këto objektiva dhe shpresoj që gjithë ky përkushtim të shpërblehet. E di që duhet durim, jam i motivuar dhe do të jap maksimumin për të realizuar këtë synim”.

Kosova, Shqipëria apo Zvicra – tri zgjidhje për yllin e ri nga Kosova

Njësoi si plot lojtarë na diaspora, Arnis Ademi tani do të jetë pranë një vendimi të madh, kë të përfaqësojë në nivelin ndërkombëtar.

Mbrojtësi i talentuar për Telegrafin deklaroi se ndjehet falënderues ndaj Zvicrës, por njëkohësisht ka emocione të veçanta me Kosovën dhe Shqipërinë.

“Është e vërtetë kam bërë të gjithë rrugëtimin me të rinjtë e Zvicrës përveç grumbullimit të fundit për shkak të lëndimit”.

“Është një pyetje shumë e rëndësishme për mua sepse të përfaqësosh një kombëtare është nder dhe përgjegjësi e madhe. Kam shumë respekt për Zvicrën, ku jam rritur dhe ku kam pasur mundësinë të zhvillohem si futbollist, por njëkohësisht kam lidhje të veçanta emocionale me Kosovën dhe Shqipërinë, të cilat i ndjej shumë afër”.

“Fokusi im është të punoj fortë, të përmirësohem çdo ditë dhe të jap maksimumin. Fokusi im është 100 për qind tek klubi. Sa i përket vendimit përfundimtar, mendoj se është ende herët për të folur në mënyrë definitive. Do ta vlerësoj këtë mundësi me shumë kujdes dhe kur të vjen momenti, do ta marrë vendimin që e ndjej me të drejtë”.

Ademi konfirmoi se Kosova e ka kontaktuar, më saktësisht menaxheri Bajram Shala, gjë që e ka gëzuar tërë familjen e tij.

“Po, jemi kontaktuar nga Z.Shala, i cili shprehu interesimin për Kosovën A (pra, ekipi i parë) dhe i jemi shumë mirënjohës për bisedën e ngrohtë dhe vëllazërore, e cila na gëzoi familjarisht”.

“Për momentin, fokusi im është te Fiorentina, ku po mundohem të përshtatem sa më mirë me klubin, të vazhdoj të zhvillohem dhe të punoj çdo ditë për t’i shfrytëzuar mundësitë që më jepen”.

“Çështja e kombëtares është shumë e rëndësishme, por çdo gjë vjen në kohën e duhur. Dua të përqendrohem te puna ime në klub, të fitojë sa më shumë përvojë dhe të bëj hapa të sigurt në karrierë. Kur të vjen momenti i duhur, do t’i vlerësoj të gjitha mundësitë”./Telegrafi/

Komentet