Personat që dëshirojnë të humbin peshë shpejt shpesh zgjedhin metoda që mund të sjellin rezultate të kundërta.
Mjekja dhe nutricionistja María Jose Crispin, nga klinika Clínica Menorca në Madrid, ka identifikuar tri gabime të zakonshme që mund të çojnë në rikthimin e kilogramëve të humbur.
Sipas saj, dietat ekstreme që premtojnë dobësim të shpejtë mund të shkaktojnë humbje të masës muskulore dhe të lëngjeve, duke ngadalësuar metabolizmin.
Foto ilustruese
Kur personat kthehen te ushqyerja e zakonshme, kilogramët e humbur mund të rikthehen, madje edhe në sasi më të mëdha.
Për këtë arsye, ajo këshillon krijimin e zakoneve të shëndetshme afatgjata, në vend të kufizimeve të rrepta ushqimore.
Gabimi i dytë është përqendrimi vetëm te ushqimi, duke lënë pas dore aktivitetin fizik.
Crispin rekomandon kombinimin e ushtrimeve kardio me stërvitjen e forcës, pasi kjo ndihmon në ruajtjen e muskujve, përmirësimin e kondicionit dhe mirëmbajtjen e peshës së arritur.
Ndërkaq, gabimi i tretë është eliminimi i plotë i yndyrave nga ushqimi.
Nutricionistja thekson se shtimi në peshë lidhet kryesisht me marrjen e tepërt të kalorive, pavarësisht nëse ato vijnë nga yndyrat, proteinat, karbohidratet apo alkooli.
Ajo këshillon përfshirjen e yndyrave të shëndetshme në ushqyerjen e përditshme, si ato që gjenden te salmoni, vaji i ullirit dhe avokadoja, duke kufizuar yndyrat trans dhe tepricën e yndyrave të ngopura.
Sipas saj, çelësi për një dobësim të qëndrueshëm nuk është uria apo eliminimi i grupeve të tëra ushqimore, por një ushqyerje e ekuilibruar, aktiviteti fizik dhe zakonet që mund të ruhen për një kohë të gjatë. /Telegrafi/