Ministria e Mbrojtjes e Kosovës mohon përfshirjen në testimin e dronëve, thotë se nuk ka lëshuar asnjë leje
Ministria e Mbrojtjes e Kosovës ka deklaruar se nuk është e përfshirë në asnjë mënyrë në testimin e dronëve të prezantuar së fundmi, përfshirë edhe dronin e quajtur “Skifter K1”, si dhe se nuk ka lëshuar asnjë leje për aktivitete të tilla.
Në një përgjigje me shkrim për VOX Kosova, Ministria thekson se nuk ka pasur asnjë rol institucional në testime dhe se, sipas njohurive të saj, asnjë institucion i Kosovës nuk ka qenë pjesë e ndonjë procesi të tillë.
“Ministria e Mbrojtjes nuk ka qenë në asnjë mënyrë e përfshirë në asnjë testim të dronit të prezantuar si Skifter K1. Bazuar në njohuritë tona, asnjë nga institucionet e Kosovës nuk ka qenë pjesë e ndonjë testimi të tillë”, thuhet në përgjigjen zyrtare.
Po ashtu, Ministria njofton se nuk ka dhënë leje për testime apo aktivitete të lidhura me dronë dhe se rasti është duke u hulumtuar, në përputhje me kompetencat ligjore.
Ky reagim vjen në kohën kur në opinionin publik janë ngritur dilema dhe pretendime lidhur me origjinën, testimin dhe autorizimet për dronët e përmendur. Ministria e Mbrojtjes thekson se çdo aktivitet i tillë duhet të zhvillohet vetëm në bazë të procedurave ligjore dhe me autorizimet përkatëse.
Institucionet kanë paralajmëruar se, pas përfundimit të hulumtimit, publiku do të njoftohet për gjetjet përkatëse.











