Zgjerohet harta arkeologjike e Shkodrës

Harta arkeologjike e rajonit të Shkodrës zgjerohet me një tjetër sit të rëndësishëm. Me vendim të Këshillit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore Materiale, zona arkeologjike “A” e Bushatit, në bashkinë Vau i Dejës, ka marrë statusin pasuri kulturore e ...

Nacionale

Harta arkeologjike e rajonit të Shkodrës zgjerohet me një tjetër sit të rëndësishëm. Me vendim të Këshillit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore Materiale, zona arkeologjike “A” e Bushatit, në bashkinë Vau i Dejës, ka marrë statusin pasuri kulturore e paluajtshme.

Njëkohësisht është miratuar edhe zonifikimi dhe rregullorja për ruajtjen dhe administrimin e kësaj zone. Në këtë sit, gërmimet arkeologjike të nisura disa vite më parë nga misioni shqiptaro-polak po nxjerrin në dritë gjurmë dhe të dhëna të reja mbi qytetin antik të Bushatit.

Sipas drejtorit të Drejtorisë Rajonale të Trashëgimisë Kulturore, “rezultatet e deritanishme të gërmimeve kanë zbuluar gjurmët e një qyteti ilir që daton para erës sonë”.

Deri më tani, në zonën arkeologjike të Bushatit janë identifikuar dy porta hyrëse të qytetit, çka ka bërë të mundur përcaktimin më të qartë të shtrirjes së tij. Ndërkohë, gërmimet e vitit të kaluar u përqendruan në pjesën e sipërme të sitit, me synimin për të zbuluar organizimin e brendshëm dhe urbanistikën e këtij qyteti të lashtë.

Për këtë vit gërmimet pritet të rinisin në fillim të muajit maj.

Me dhënien e statusit pasuri kulturore e paluajtshme, zona arkeologjike “A” e Bushatit kthehet tashmë në një sit të mbrojtur dhe të aksesueshëm edhe për vizitorët./RTSH

– YouTube youtu.be