Zgjedhjet në Kosovë: Hajrullahu, qytetarët dërguan mesazh të qartë me abstenim

Nacionale

Duke komentuar zhvillimet e fundit politike paszgjedhore në Kosovë, në një intervistë për gazetaren Esmeralda Mulaj në Euronews Albania, kryredaktori i Telegrafit, Muhamet Hajrullahu tha se politikanët duhet ta marrin si mesazh abstenimin e qytetarëve në zgjedhje. Hajrullahu tregoi edhe arsyet pse në këto zgjedhje ka pasur më pak votues krahasuar me zgjedhjet e kaluara. […]

Madhësia e shkronjave

Duke komentuar zhvillimet e fundit politike paszgjedhore në Kosovë, në një intervistë për gazetaren Esmeralda Mulaj në Euronews Albania, kryredaktori i Telegrafit, Muhamet Hajrullahu tha se politikanët duhet ta marrin si mesazh abstenimin e qytetarëve në zgjedhje.

Hajrullahu tregoi edhe arsyet pse në këto zgjedhje ka pasur më pak votues krahasuar me zgjedhjet e kaluara.

“Ky ishte abstenim, një mesazh që partitë duhet ta marrin për bashkëpunim dhe kompromis. Qytetarët, përmes lodhjes dhe zbehjes së interesimit, ua kanë treguar liderëve të partive papërgjegjësinë e tyre në gjetjen e zgjidhjeve, veçanërisht për çështjen e presidentit, për të mos e çuar vendin në zgjedhje të reja”, tha ai.

Ai shtoi se ende po pritet finalizimi i votave nga diaspora, të cilat mund të qartësojnë më shumë formën e qeverisë së re, nëse do të ketë koalicione apo jo.

Hajrullahu foli edhe për skenarët e mundshëm politikë, duke përmendur se i pari është që LVV të formojë vetë qeverinë, ndërsa skenari i dytë është një qeveri e LVV-së me AAK-në, ku çështja e presidentit mund të zgjidhet në bashkëpunim edhe me PDK-në.

Ai u shpreh se nuk sheh mundësi bashkëpunimi me LDK-në për zgjedhjen e Vjosa Osmanit presidente, nëse qëndrimet nuk ndryshojnë në të ardhmen.

Sipas tij, gjithçka do të varet nga votat e diasporës dhe nga saktësimi i numrit të ulëseve në Kuvend./Telegrafi/.