Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Armend Zemaj ka reaguar pas adresimit të kryeministrit, Albin Kurti, lidhur me mediat.
Ai tha se organizatat kredibile ndërkombëtare e kanë vendosur në listën e zezë Kurtin për ndërhyrje në pavarësinë e mediave. Zemaj ka replikuar edhe me ministren e Ekonomisë, Artane Rizvanolli për rritjen e çmimit të energjisë elektrike.
Gjatë adresimit të sotëm, kryeministri Albin Kurti ka thënë se raportimet për “financime me thasë parash janë kërcënim i drejtpërdrejtë për integritetin e debatit publik.

“Sulmoj mediat në mënyrë tjetër, kërko transparencë, llogari, ligj, të gjithë ato, është e drejtë, por jo vetëm kur ty të pëlqen e tjetra nuk të pëlqen. Reporterët pa kufij, ambasadat, organizatat kredibile ndërkombëtare të kanë vendosur në listën e zezë për ndërhyrje në pavarësinë e mediave. Për çka po flasim sot, për çfarë lirie të të drejtave të njeriut, për çfarë shteti funksional ku funksionon rendi dhe ligji. Andaj këto tema dhe këto përgjigje duhet me i dhënë. Ose e fundit, pse e ke financuar Gashin për ta botuar libër me të pavërtetat e luftës. Ministria e kujt është, kush është i pari i qeverisë, kush është titullari, jep llogari për ato pare që i ke shpërndarë nëpër krejt botën demokratike ato të pavërteta, e atëherë dil dhe arsyetoni këto veprime të tjera”, ka deklaruar Zemaj.
Zemaj ka pyetur edhe se “ku janë milionat e Martin Berishës, kë e ka financuar”?
“Kryeministër sa herë është shtrenjtuar energjia elektrike në qeverisjen tuaj brenda këtyre ditëve. A ke fol najherë për Martin Berishën, për arrestimin e Nagip Krasniqit, a je dal t’ju tregosh deputetëve të Kuvendit të Kosovës pse ai është i arrestuar, ku janë milionat e Martin Berishës, ku kanë shkuar, kë e ka financuar, nëse po flasim për financim”, shtoi ai.
Pas diskutimeve në Kuvend për energji elektrike, ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli i ka quajtur të pavërteta. Ajo tha se rritja e çmimit vitin e kaluar ka ndodhur edhe për shkak të investimeve në KEK, që sipas saj, nuk janë bërë për 40 vjet.
“E ndërlidhët këtë me disa akuza që janë të paqena me disa informata që janë demantuar disa herë si të pabaza nga të gjitha institucionet…Këto rritje kanë ndodhur në një kontekst të një krize botërore energjetike, e cila ka kulmuar në vitin 2021 dhe në vitin 2022, mirëpo në vitin 2025 çmimet e importit të energjisë elektrike kanë vazhduar të jenë mesatarisht trefish ose më se trefish më të larta sesa që kanë qenë para krizës së vitit 2021 dhe 2022. Një krizë, e cila ka vazhduar të ketë pasoja, që tani më tepër po keqësohet për shkak të luftës në Iran. E dyta: shumë e rëndësishme që të përmendet në këtë kontekst është që rritja e çmimit të energjisë elektrike vitin e kaluar ka ndodhur edhe për shkak të investimeve që po bëhen në KEK e që nuk janë bërë për 40 vjet”, tha ajo.
Rizvanollit i ka replikuar sërish deputeti Zemaj, duke i thënë se e njëjta “e ka një zor të madh” t’i referohet si me të pavërteta deklarimeve të tij.
“Është për të ardhur keq, kur del një ministre ose duhet me pas një zor të madh edhe me dalë me thënë ‘deputeti’ ose i referohet të pavërtetave. Zonja ministre ty t’u ka arrestuar në vitin 2023 Nagip Krasniqi. Edhe hala është me aktakuzë aktive në proces gjyqësor nga Prokuroria Speciale për keqpërdorim të tenderëve, pikërisht të atyre tenderëve që po flasim edhe ne. Çka ka të pavërtetë këtu, a mundesh të mohosh që ka tërhequr miliona Martin Berisha dhe që nuk është nën hetim, cila është e pavërteta, pse e mbron një person që është në aktakuzë edhe thua është e pavërtetë. Çka të lidh ty me të? A ke përgjegjësi? Edhe del thua këtu u thanë disa të pavërteta”, thaZemaj.
Rizvanolli tha se janë të pabaza edhe pretendimet që kompani për tregtim të energjisë elektrike kanë lidhje me Lëvizjen Vetëvendosje.
“Çështjet individuale që janë duke u trajtuar nga gjyqësori, unë nuk mund t’i komentoj, mirëpo me këtë rast unë dua të qartësoj një gjë që thuhet shpesh dhe që nuk është e vërtetë dhe kjo është që Nagip Krasniqi akuzohet se ka vjedhur para. Dëmi, i cili pretendohet nga Prokuroria në rastin e kontratës së njësisë A5 pretendohet për fitime të humbura, të cilat nuk janë dëshmuar, ndërsa jo për vjedhje. Kjo duke qenë se është një çështje që flitet shumë publikisht dhe aktakuza dhe të gjitha informatat janë në publik, nuk e mendoj që është mirë që të jemi të qartë. Të pavërteta shumë u thanë dhe janë thënë shpesh lidhur me pretendimin për lidhjet e qeverisë ose LVV-së ose secilit zyrtar me kompani që tregtojnë energji. Nuk ka asnjë lidhje mes kompanive që kanë tregtuar energji gjatë viteve të fundit dhe zyrtarëve të LVV-së apo të qeverisë. Këto janë komplet të pabaza”, përfundoi ajo.
Ndryshe, kryeministri Albin Kurti, në seancën e Kuvendit të Kosovë, ka folur për rrezikun që i kanoset vendit nga dezinformimi.
Fillimisht, Kurti ka thënë se raportimet për “financime me thasë parash” nuk janë vetëm problem i etikës profesionale, por edhe kërcënim i drejtpërdrejtë për integritetin e debatit publik.
Sipas tij, kur paraja hyn në mënyrë të padukshme, nuk blen vetëm hapësirë mediatike, por edhe ndikim. /Telegrafi/






