Vrasja e trefishtë në Gllogjan më 2021, vëllai i Ledion Hamzës kërkon drejtësi: E dimë të vërtetën dhe kush ta mori jetën

Nacionale

Brikend Hamzaj, vëllai i Ledion Hamzës, njërit prej tre viktimave të vrasjes së trefishtë në Gllogjan të Deçanit, ka reaguar pas shpalljes së pafajshëm të tre të akuzuarve për këtë rast, duke kërkuar nga institucionet e drejtësisë zbardhjen e plotë të vrasjes dhe ndëshkimin e përgjegjësve. Përmes një postimi në Facebook, Hamzaj ka shprehur pakënaqësinë […]

Madhësia e shkronjave

Brikend Hamzaj, vëllai i Ledion Hamzës, njërit prej tre viktimave të vrasjes së trefishtë në Gllogjan të Deçanit, ka reaguar pas shpalljes së pafajshëm të tre të akuzuarve për këtë rast, duke kërkuar nga institucionet e drejtësisë zbardhjen e plotë të vrasjes dhe ndëshkimin e përgjegjësve.

Përmes një postimi në Facebook, Hamzaj ka shprehur pakënaqësinë e familjes për mungesën e drejtësisë, duke thënë se ata e dinë të vërtetën për vrasjen e vëllait të tij.

“Ti pusho në paqe, vëllau im. Vallja jote nuk ka mbaruar. Ne, si familje, e dimë shumë mirë se kush ta ndali vallen. E dimë të vërtetën dhe e dimë kush ta mori jetën”, ka shkruar ai.

Hamzaj ka thënë se familja e tij e ka respektuar procesin gjyqësor dhe ka pritur që drejtësia të vihet në vend, pavarësisht dhimbjes dhe pritjes së gjatë.

Ai ka theksuar se tashmë është radha e shtetit që ta mbajë premtimin e dhënë ndaj familjes, duke kërkuar që rasti të zbardhet dhe përgjegjësit të marrin dënimin e merituar.

“Ne, si familje, i kemi dhënë fjalën shtetit të Kosovës se do të presim deri në fund, deri sa të rrahet çekiçi i fundit i drejtësisë. Kemi duruar, kemi pritur dhe kemi respektuar ligjin, edhe pse dhimbja jonë nuk ka pushuar asnjë ditë. Ne fjalën tonë e kemi mbajtur. Tani është radha e shtetit ta mbajë fjalën e vet. Kërkojmë drejtësi. Kërkojmë që e vërteta të dalë në dritë dhe ata që janë përgjegjës të marrin dënimin që meritojnë, sipas ligjit”, ka shkruar Hamzaj.

Reagimi i tij vjen më shumë se pesë vjet pas vrasjes së trefishtë në Gllogjan, ndërsa pak javë pas vendimit të Gjykatës Themelore në Pejë, e cila më 23 tetor të këtij viti shpalli të pafajshëm Kastriot, Kreshnik dhe Halil Mehmetajn, të cilët ishin gjykuar për këtë rast.

Ngjarja e rëndë kishte ndodhur më 26 nëntor 2021, kur një autobus që po udhëtonte në Gllogjan ishte qëlluar me armë zjarri. Nga të shtënat kishin mbetur të vrarë shoferi i autobusit, Gani Gjokaj, dhe dy nxënësit, Ledion Hamzaj e Genta Mustafaj.

Vrasja e tre personave kishte tronditur opinionin publik në Kosovë, ndërsa rasti vazhdon të jetë një nga ngjarjet më të rënda kriminale të viteve të fundit, për të cilën familjarët e viktimave vazhdojnë të kërkojnë zbardhjen dhe vendosjen e drejtësisë.