Familjarë të Erona Coklit, e vrarë nga ish-bashkëshorti i saj Valon Aliu, sot dolën të pakënaqur nga Gjykata Themelore e Ferizajt. Atje sot u shpall verdikti kundër Aliut, ku u shpall fajtor për të tri veprat penale që akuzohej, por lartësia e dënimit, nuk ishte në përputhje me pritjet e familjarëve të Coklit, që paralajmëruan ankesë në Apel.
Pas gati dy vitesh nga një akt që i tronditi jo vetëm ata, familjarët e Erona Coklit, erdhën për të kuptuar vendimin e Gjykatës kundër të akuzuarit për vrasjen e bijës së tyre.
Në Themeloren e Ferizajt këtë të premte u u shpall aktgjykimi në rastin ku Valon Aliu akuzohet për vrasjen e kryer në prill të 2024-tës.

Të parët që u paraqitën në sallën qenë familja e të ndjerës e më pas edhe ata të të akuzuarit.
E më pas nën masa të rrepta të sigurisë në sallë erdhi i akuzuari për tri veprat penale, vrasje e rëndë, kanosje dhe armëmbajtje pa leje.
Gjyqtarja, Fitore Krivenjeva-Daci, shqiptoi dënimin unik për të tri veprat.
“Konform nenit 76, paragrafi dy të kodit penal të Republikës së Kosovës për tre veprat penale i shqipton dënim unik me burgim 24 vite në cilin i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim nga 12 prill 2024”, tha gjyqtarja.
Lartësia e dënimit që Gjykata shqiptoi për Aliun, nuk u prit mirë nga nëna e viktimës.
“Dhimbjen që ma ka kriju ky njeri, nuk mund të shuhet kurrë. Se e di që ka një Zot dhe do të dënohet me vendimin që e meriton, jo me kaq. Çdo ditë kemi dhimbje, djali po rritet çdo ditë, çdo po e kërkon nënën e vet, çdo ditë po shtohet dhimbje. E ka bërë një padrejtësi të madhe ndaj familjes sime dhe vajzës sime”, tha Milihate Cokli, nëna e Erona Coklit.
Avokati i familjes, Jeton Berisha, paralajëroi se do të bëjnë ankesë në Apel.
“E mirëpresim vendimin e gjykatës, pavarësia se lartësia e dënimit nuk është si e kemi pritur, por e rëndësishme se u shpall fajtor. Pas marrjes së aktgjykimit të plotë, do ta shqyrtojmë mundësinë që të ankimohem”, tha ai.
Valon Aliu e vrau ish gruan, Erona Coklin më 12 prill të 2024-tës, brenda Qendrës për Punë Sociale në Ferizaj pas një mosmarrveshje që kishin për kujdestariën e djalit.
Me këtë rast, aty kishte plagosur edhe vëllanë e të ndjerës e kishte kanosur me vrasje zyrtaren e QPS-së./Tv Dukagjini/





