Në Gjykatën Themelore në Gjilan po mbahet seanca e parë shqyrtuese ndaj Brahim Demirajt, i dyshuar për vrasjen e rëndë të 27-vjeçarit Adonis Demiri dhe foshnjës së tij tre muajshe në fshatin Demiraj të Gjilanit.
Nisjen e seancës e ka konfirmuar për Telegrafin zëdhënësi i Gjykatës Themelore të Gjilanit, Sabit Shkodra,
Në seancën e sotme pritet të shqyrtohet kërkesa për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të dyshuarit.
Ndërkohë, rrethanat e kësaj ngjarjeje tragjike ende nuk janë bërë të ditura plotësisht.
Policia e Gjilanit dhe Prokuroria Themelore në këtë komunë nuk kanë dhënë detaje lidhur me mënyrën se si është kryer vrasja, mjetin e përdorur apo rrethanat në të cilat kanë humbur jetën dy viktimat.
Adonis Demiri, 27-vjeçari që mbeti i vrarë bashkë me foshnjën e tij tre muajshe, sipas informacioneve të raportuara, ishte i njohur për autoritetet e sigurisë dhe të hetuesisë në Gjilan.
Arrestimi i Brahim Demirajt dhe zhvillimet në procedurën gjyqësore pritet të hedhin më shumë dritë mbi këtë rast, i cili ka tronditur opinionin publik. /Telegrafi/