Kombëtarja e Turqisë ka shënuar fitore minimale në shtëpi për ta siguruar biletën për në finalen e play-offit të Kupës së Botës.
Turqit edhe pse dominuan në përgjithësi, arritën fitore vetëm me rezultat minimal 1-0.
Turqia e nisi më mirë për të rrezikuar disa herë me Hakan Calhanoglun e Arda Guler nga distanca, si dhe tentonin të përfitonin nga driblimet e Kenan Yildiz.

Megjithatë rastin më të mirë në këtë pjesë e kishte Rumania përmes Vlad Dragomir, i cili nuk e shfrytëzoi një mundësi të mirë nga afërsia.
Sidoqoftë, kur askush s’e priste – nga gjysma e fushës Arda Guler e gjeti për mrekulli Ferdi Kadioglun, i cili nuk dështoi përballë portierit mysafir për ta vulosur fitoren.
Si Yildiz ashtu edhe Guler kishin edhe disa raste tjera shënimi mirëpo që nuk ia dolën t’i finalizojnë.
Kësisoj, Turqia bëhet finalisti i parë i play-offit të Kupës së Botës dhe do të udhëtojë për në Prishtinë në rast që Kosova e eliminon Sllovakinë./Telegrafi/





