Në kuadër të Takimit të Pesëmbëdhjetë të Konferencës së Palëve të Konventës për Ruajtjen e Llojeve Migratore të Faunës së Egër (CMS COP15), të mbajtur në Brazil, vendet e rajonit të Ballkanit bënë një hap të rëndësishëm drejt mbrojtjes së Rrëqebullit Ballkanik një prej specieve më të rrezikuara në Evropë, duke prezantuar dhe miratuar Strategjinë Rajonale për Ruajtjen e këtij lloji.
Strategjia është zhvilluar nga Programi i Kombeve të Bashkuara për Mjedisin (UNEP) / Sekretariati i Konventës së Karpateve, Grupi Specialist për Macet i IUCN, Programi për Rimëkëmbjen e Rrëqebullit të Ballkanit, si dhe autoritetet kombëtare nga Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, Serbia, Kosova, si edhe Greqia dhe Bullgaria.

Pjesë aktive e këtij aktiviteti ishin edhe institucionet qeveritare dhe jo qeveritare të Kosovës, të cilat kontribuan në mënyrë aktive në proces në kuadër të bashkëpunimit ndërkufitar dhe përmirësimit të dialogut rajonal.
Me miratimin e kësaj strategjie rajonale janë vendosur themelet për: bashkëpunim më të fortë rajonal, koordinim më të mirë ndërkufitar si dhe mbrojtjen dhe ruajtjen afatgjate dhe të qëndrueshme të Rrëqebullit Ballkanik si një specie e rrezikuar në mënyrë kritike.
Përndryshe, takimi i 15-të i Konferencës së Palëve (CMS CoP15) i Konventës për Ruajtjen e Llojeve Migratore të Faunës së Egër që përfudnon nesër, ka mbledhur përfaqëesues nga qeveritë, shkencëtarët, ambientalistët, dhe komunitetet lokale për të adresuar sfidat urgjente të ruajtjes me të cilat përballen llojett migratore që kalojnë kufijtë ndërkombëtarë.
Nën moton “Lidhja e Natyrës për të Mbështetur Jetën”, konferenca ka nënvizuar rëndësinë kritike të lidhshmërisë ekologjike për ruajtjen e ekosistemeve thelbësore si për speciet migratore ashtu edhe për mirëqenien e njeriut.





