Shkëlqim Pajazitaj, vëllai i Donjeta Pajazitajt, ka reaguar pas emërimit të Valbona Disha Haxhosajt në krye të prokurorisë, duke shprehur pakënaqësi për faktin se rasti i motrës së tij, edhe pas 11 vjetësh, ende nuk ka marrë një epilog përfundimtar.
Përmes një reagimi publik, Pajazitaj ka vënë në pikëpyetje këtë emërim, duke kërkuar përgjegjësi dhe sqarime nga institucionet për mënyrën se si është trajtuar rasti i Donjeta Pajazitajt.
“Në vend që të bëhet thirrje për drejtësi, ky vendim po e thellon edhe më shumë mosbesimin tim ndaj sistemit të drejtësisë!”, ka shkruar ai.
Pajazitaj ka ngritur pyetje lidhur me pritjen e gjatë për zbardhjen përfundimtare të rastit të motrës së tij, duke kërkuar të dijë se kush do të mbajë përgjegjësi për mënyrën se si është trajtuar çështja.
“Kush do të japë përgjigje për këto vite pritjeje? Kush do të mbajë përgjegjësi për mënyrën se si është trajtuar rasti i Donjetës?”, ka shkruar ai.
Ai u ka bërë thirrje institucioneve përkatëse që të ofrojnë transparencë, llogaridhënie dhe sqarime konkrete, duke theksuar se familja ka të drejtë të dijë se çfarë ka ndodhur me rastin.
Vrasja e Donjetës mbetet pa një autor të dënuar, ndërsa prokurori që e trajtoi çështjen është ngritur në një pozicion udhëheqës.
Disha-Haxhosaj ngriti një aktakuzë kundër Naser Pajazitajt më 8 qershor 2017, duke e akuzuar atë për vrasjen e 24-vjeçarit.
Çështja kaloi nëpër disa procese gjyqësore, me vendime të ndryshme, nga lirimi deri në dënim me burgim të përjetshëm.
Megjithatë, në prill të vitit 2023, Gjykata Supreme përfundimisht e liroi Naser Pajazitajn nga akuza për vrasje për shkak të provave të pamjaftueshme.
Ky vendim e mbylli çështjen kundër tij, por jo përpjekjen e familjes për të zbuluar të vërtetën pas vrasjes së Donjetës./Telegrafi/