“Vardari po favorizohet, do të bëjmë ankesë deri në UEFA” – Shkëndija e ashpër me parregullsitë në kampionatin maqedonas

Shkëndija e Tetovës ka dalë me reagim të hënën mbrëma pas ndeshjeve të xhiros së 22-të të elitës së futbollit të Maqedonisë së Veriut.

Shkëndija barazoi 1-1 me Brera Strumicën, ndërsa Vardari fitoi nga Sileksi 1-0. Shkëdija e Vardari janë në garë për titull të kampionit.

Kuqezinjtë e Tetovës në komunikatë shkruajnë se Vardari po favorizohet në garën për titull të kampionit, duke i cekur edhe vendimet skandaloze të gjyqtarëve që kanë favorizuar Vardarin.

“Vendimet skandaloze të arbitrave, të cilat në mënyrë të përsëritur kanë favorizuar KF Vardar, po dëmtojnë rëndë integritetin e garës dhe po krijojnë një perceptim të rrezikshëm për mënyrën se si po administrohet nga Federata e Futbollit të Maqedonisë së Veriut ai që duhet të quhet ‘kampionati elitar’”, shkruan në fillim të reagimit.

Vardari është lider me 55 pikë, kurse Shkëndija në vendin e dytë me 52 pikë. Struga zë vendin e tretë me 47 pikë.

“Nëse kjo qasje e pabarabartë ndaj garës vazhdon, me referime skandaloze ne do të jemi të detyruar të vëmë seriozisht në pikëpyetje vazhdimin e investimeve tona në këtë ambient. Njëkohësisht, për gjithë ngjarjet, rrjedhën dhe zhvillimet e kampionatit tonë do të informojmë institucionet ndërkombëtare, përfshirë edhe UEFA-në. Futbolli duhet të vendoset në fushë, jo në tavolinë. Shkëndija nuk kërkon asgjë më shumë se kaq!”, shkruan në fund të reagimit.