Ushtarët e Zvicrës do të qëndrojnë në Kosovë deri në vitin 2029

Dhoma e Lartë e Parlamentit të Zvicrës dëshiron të zgjasë praninë e trupave zvicerane në Kosovë deri në vitin 2029. Të martën, ajo miratoi një vendim përkatës me 37 vota pro, 2 kundër dhe 4 abstenime, njofton Enver Robelli, referuar mediave zvicerane.

Që nga tetori i vitit 1999, ushtria zvicerane merr pjesë në misionin ndërkombëtar paqeruajtës të NATO-s në Kosovë (Kfor) me kontingjentin e saj të quajtur Swisscoy.

Aktualisht, numri maksimal i pjesëtarëve të ushtrisë zvicerane është 215, ndërsa mandati i tanishëm përfundon në fund të vitit 2026.

Qeveria e Zvicrës u ka kërkuar dy dhomave të parlamentit federal që ta zgjasin mandatin deri në fund të vitit 2029, duke e mbajtur numrin e trupave të pandryshuar.

Megjithatë, qeveria kërkon t’i jepen kompetenca për ta rritur numrin e personelit me deri në tridhjetë persona, në rast se situata e sigurisë përkeqësohet dhe KFOR-i kërkon përforcime.

Ministri i Mbrojtjes, Martin Pfister, deklaroi se aktualisht gjendja është e qetë, por ajo mbetet e paqëndrueshme, veçanërisht në veri të Kosovës, ku tensionet mes etnive vazhdojnë.

Në vitin 2023, incidentet e rënda të sigurisë e shtynë NATO-n që ta përforconte KFOR-in dy herë.

NATO dhe vendet pjesëmarrëse janë të mendimit se KFOR-i duhet të qëndrojë derisa marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë të normalizohen.

Sipas ligjit, angazhimi i Swisscoy duhet të miratohet nga parlamenti.

Pas Dhomës së Lartë (Ständerat), radha i kalon Dhomës së Ulët (Nationalrat). Buxheti për 215 pjesëtarë të ushtrisë kap vlerën prej 48,9 milionë franga. /Telegrafi/