Ekspertët paralajmërojnë për shenjat e hershme të sëmundjeve neurologjike që mund të shpëtojnë jetën nëse njihen me kohë
Në botë çdo vit shënohet Java e Trurit, një nismë globale që kujton rëndësinë e kujdesit për këtë organ jetik. Ekspertët theksojnë se njohja e hershme e simptomave neurologjike është vendimtare për trajtimin dhe ruajtjen e cilësisë së jetës.
Sëmundjet neurologjike prekin trurin, palcën kurrizore dhe nervat që kontrollojnë pothuajse të gjitha funksionet e trupit, nga frymëmarrja dhe puna e zemrës, deri te kujtesa, të folurit dhe lëvizja.

Kur ky sistem çrregullohet, simptomat mund të jenë fizike, mendore ose emocionale.
Dhimbja e papritur e fortë e kokës si sinjal alarmi
Një nga simptomat më të rrezikshme është dhimbja e papritur dhe shumë e fortë e kokës, e përshkruar shpesh si “dhimbja më e keqe në jetë”.
Ky lloj dhimbjeje mund të tregojë gjakderdhje në tru ose aneurizëm dhe kërkon ndihmë të menjëhershme mjekësore.
Dhimbja e kokës e shoqëruar me temperaturë, ngurtësi të qafës, probleme me shikimin, dobësi apo vështirësi në të folur konsiderohet gjithashtu shenjë serioze.
Dobësia e papritur, mpirja ose therjet në fytyrë, krah apo këmbë, sidomos në një anë të trupit, mund të jenë shenja të goditjes në tru. Këto shpesh shoqërohen me çrregullime në të folur, humbje të shikimit, marramendje dhe humbje të ekuilibrit.
Në këto raste, duhet kërkuar menjëherë ndihmë urgjente, pasi reagimi i shpejtë mund të parandalojë dëmtime të përhershme, transmeton Telegrafi.
Dobësia e pashpjegueshme e muskujve, dridhjet e duarve ose trupit dhe problemet me ekuilibrin mund të tregojnë çrregullime të sistemit nervor. Dridhja që shfaqet në pushim mund të jetë shenjë e hershme e sëmundjes së Parkinsonit.
Humbja e shpeshtë e kujtesës për ngjarje të fundit, humbja në vende të njohura apo vështirësia në gjetjen e fjalëve mund të jenë simptoma të hershme të demencës ose sëmundjes së Alzheimerit.
Ekspertët theksojnë se rreziku për shumë sëmundje neurologjike mund të ulet me zakone të shëndetshme jetese. Aktiviteti fizik i rregullt, ushqimi i balancuar, aktivitetet mendore si leximi, gjumi cilësor dhe kontrolli i tensionit të gjakut dhe sheqerit janë thelbësorë për shëndetin e trurit.
Njohja e hershme e simptomave dhe reagimi në kohë mund të ngadalësojnë ndjeshëm përparimin e sëmundjeve dhe të ndihmojnë në ruajtjen e cilësisë së jetës. /Telegrafi/








