Mustafa Denizli, një nga trajnerët më të njohur në futbollin turk, i cili ka drejtuar skuadra si Galatasaray, Fenerbahçe dhe Beşiktaş, ka folur për përballjen e ardhshme mes Kosovës dhe Turqisë.
Denizli që ka fituar dy tituj kampioni në futbollin turk dhe e vlerëson lartë skuadrën kosovare, ndërsa thotë se te Kosova ka një atmosferë të veçantë në stadium, e ngjashme me ato që krijojnë tifozët turq.
“Nëse do të krahasonim Sllovakinë me Kosovën, unë do të zgjidhja Sllovakinë. Aty nuk krijohet një presion i madh nga stadiumi, por te Kosova është ndryshe. Ata kanë një grup tifozësh që na kujton atmosferë te ne”, deklaroi fillimisht Denizli.

Trajneri turk vlerësoi edhe lojtarët e të dyja skuadrave, ndërsa lartësoi ekipin e Kosovës që funksionon bashkë.
“Në mënyrë individuale, nuk mund të tregosh një lojtar më të mirë se ata tanët, por suksesi vjen vetëm nëse ekipi funksionon si një njësi e bashkuar”, shtoi ai.
Denzili gjithashtu theksoi paraqitjen e Kosovës në grup, duke u ndalur te Suedia, e cili mbeti pas dardanëve.
“Shikoni ekipet që mbeten pas Kosovës në grup: Suedia, pjesëmarrëse e rregullt në Kupën e Botës. Zvicra si lidere e grupit nuk është surprizë, por vendi i dytë i Kosovës është një befasi e madhe. Duke e parë këtë renditje, mund të themi se ndeshja ndaj Kosovës nuk do të jetë e lehtë për Turqinë”, nënvizoi ai.
Kjo deklaratë vjen pak ditë para finales së play-offit ku Kosova do të kërkojë historinë e parë të kualifikimit për Kupën e Botës, duke pritur Turqinë në Stadiumin “Fadil Vokrri”. /Telegrafi/






