Trajneri i njohur turk flet për Telegrafin: Kjo Kosovë mund t’i shkaktojë probleme të mëdha Turqisë

Kombëtarja e Kosovës është vetëm një hap larg arritjes historike – kualifikimit në Kupën e Botës 2026. Por për ta realizuar këtë ëndërr, duhet të kalojmë pengesën e quajtur Turqi. Në një intervistë ekskluzive për Telegrafin rreth kësaj ndeshjeje ësht...

Sport

Kombëtarja e Kosovës është vetëm një hap larg arritjes historike – kualifikimit në Kupën e Botës 2026. Por për ta realizuar këtë ëndërr, duhet të kalojmë pengesën e quajtur Turqi.

Në një intervistë ekskluzive për Telegrafin rreth kësaj ndeshjeje është prononcuar ish-lojtari, tashmë trajneri i njohur turk Hamza Hamzaoglu.

Hamzaoglu ka një CV të pasur si trajner, por mbahet mend veçanërisht për sezonin 2014/2015, kur si trajner i Galatasaray fitoi kampionatin, Kupën e Turqisë dhe Superkupën brenda një sezoni.

Aktualisht ai është pjesë e klubit arab Al Shabab si ndihmëstrajner.

Telegrafi: Si e vlerësoni ecurinë e Turqisë në këtë cikël kualifikues për Kupën e Botës dhe cilët lojtarë e bartin barrën kryesore të kombëtares?

“Turqia ka arritur deri këtu me sukses. Ata kaluan pengesën e Rumanisë, edhe pse nuk ishte e lehtë. Tani do të luajnë një finale play-off kundër Kosovës për vendin në Botëror, dhe sipas mendimit tim, Turqia është favorite për këtë ndeshje”.

“Nëse nuk ndodh asnjë incident i papritur, mendoj se Turqia do të kualifikohet. Megjithatë, në futboll gjithmonë duhet të kemi parasysh se favoritët nuk fitojnë gjithmonë. Kosova është një skuadër e disiplinuar, e re dhe dinamike, me shumë lojtarë që luajnë në klube të mira evropiane, gjë që do ta vështirësojë punën e Turqisë”.

Telegrafi: Cila është forca kryesore e Turqisë dhe cilët lojtarë mbajnë barrën kryesore?

“Forca kryesore e Turqisë është përvoja e lojtarëve, pavarësisht moshës së tyre të re. Një tjetër avantazh është fakti që shumë prej tyre kanë luajtur bashkë për një kohë të gjatë. Ata kanë shumë lojtarë me eksperiencë në ndeshje të nivelit të lartë, përfshirë Ligën e Kampionëve dhe Ligën Evropiane, si dhe shumë eksperienca në ligat kryesore evropiane”.

Hamza Hamzaoglu dhe ish-sulmuesi i Galatasaray, Umut Bulut

“Skuadra ka adoptuar një stil lojë pa sulmues fiks sipas filozofisë së Montellës, duke krijuar një ekuilibër mes mbrojtjes së fortë dhe sulmit efektiv. Për Turqinë, çdo ndeshje ku ekipi mund të luajë sipas stilit të vet është e mundur të fitohet”.

Lojtarët që mbajnë barrën kryesore janë: Ugurcan (Cakir), Abdulkerim (Bardakci), Hakan Calhanoglu, Kenan Yildiz, Arda Guler dhe Batis Alper. Ndër ta, Ismail Yuksek ka një kontribut të madh në mesfushë, duke lehtësuar mbrojtjen me përkushtimin dhe sakrificën e tij.”

Telegrafi: Si e vlerësoni Kosovën si kundërshtar në finalen e playoff-it?

“Kur isha asistent i ekipit kombëtar të Turqisë në vitin 2014, luajtëm një ndeshje miqësore në Kosovë. Që atëherë, Kosova ka zhvilluar një përparim të vazhdueshëm dhe çdo vit bëhet më e fortë, duke luajtur lojëra efektive kundër kundërshtarëve të fortë. Si trajner me origjinë ballkanike, kjo më gëzon shumë”.

“Kosova ka shumë lojtarë të njohur për Turqinë, mes tyre Vedat Muriqi, portieri Muric nga Adana Demirspor, Hadergjonaj dhe Aliti nga Alanyaspor, si dhe Milot Rashica nga Besiktasi. Gjithashtu, nga Hoffenheimi kam vënë re Asllanin dhe Hajdarin, të cilët më kanë bërë përshtypje”.

“Një nga forcat kryesore të Kosovës është taktika dhe disiplinimi i trajnerit të tyre, Franco Foda, i cili arrin të maksimizojë performancën e lojtarëve. Kundër Turqisë, arma kryesore e Kosovës do të jetë pikërisht disiplina taktike”.

“Në këtë ndeshje, ekipi që do të qëndrojë i durueshëm, i displinuar taktikisht dhe që do të bëjë më pak gabime, ka më shumë gjasa të fitojë. Ju uroj suksese të dyja ekipeve”./Telegrafi/