Një prej gabimeve më të mëdha që po e shoh çdo ditë është kërkimi për një zgjidhje të shpejtë. Njerëzit ende besojnë që ekziston diçka që mund ta zëvendësojë punën reale, një pilulë, një metodë e lehtë, një rrugë më e shkurtër drejt rezultatit. Nuk ekziston
Muskujt nuk janë luks estetik. Janë domosdoshmëri biologjike. Sa më shumë masë muskulore të kesh, aq më funksional bëhet trupi yt. Metabolizmi punon më mirë, sheqeri në gjak kontrollohet më lehtë, trupi përballon më mirë stresin dhe plakjen. Kjo nuk është teori, është diçka që e shoh çdo ditë në praktikë.
Kur një person fillon të ndërtojë muskuj, nuk ndryshon vetëm pamja. Ndryshon energjia gjatë ditës, ndryshon mënyra si fle, ndryshon mënyra si funksionon trupi në tërësi. Fillon të ndihesh më i qëndrueshëm, më i fortë, më i qartë në mendje. Sa më pak muskuj të kesh, aq më shumë e ekspozon veten ndaj problemeve.

Problemi nuk është që njerëzit nuk e dinë këtë. Problemi është që shumica kërkon mënyrën më të lehtë për ta anashkaluar procesin. Të gjithë e dinë që duhet të ushtrohen dhe të ushqehen mirë, por kur vjen puna te veprimi, kërkojnë diçka më të lehtë, diçka që jep rezultat pa disiplinë. Dhe ajo nuk ekziston.
Sot është krijuar një industri e tërë mbi këtë iluzion. Suplemente që premtojnë më shumë sesa japin, dieta që japin rezultat për pak kohë dhe pastaj të kthejnë prapa, programe që duken të lehta por nuk ndërtojnë bazë. Sepse baza kërkon kohë, kërkon disiplinë dhe kërkon përballje me veten çdo ditë.
Trupi nuk ndërtohet me nxitim. Ndërtohet me përsëritje, me rutina të sakta, me ushqim të kontrolluar dhe me stërvitje të rregullt. Nuk mund ta blesh shëndetin. Mund ta ndërtosh vetëm. Trupi nuk mashtron, ai të kthen saktë atë që i jep çdo ditë. Nëse i jep kaos, do të marrësh kaos. Nëse i jep strukturë, do të marrësh rezultat.
Në fund nuk është pyetja a ka rrugë më të lehtë. Pyetja është sa kohë do të vazhdosh ta kërkosh atë, ndërkohë që zgjidhja është para teje. Dhe zgjidhja nuk është e re. Është e njëjta që ka qenë gjithmonë. Punë, disiplinë, konsistencë.
Nëse dikush kërkon nga unë një fillim të thjeshtë, unë gjithmonë them këtë. Mos e komplikoni. Filloni me bazën. Ushtrime bazike si squat, shtytje për gjoks, tërheqje për shpinë. Trupi ka nevojë për forcë reale, jo për kombinime të komplikuara që duken bukur në rrjete sociale.
Sa i përket ushqimit, mbajeni të pastër dhe të qëndrueshëm. Proteina e mjaftueshme çdo ditë, ushqim i thjeshtë që e njeh trupi, ujë i mjaftueshëm dhe kontroll i sasisë. Nuk ka nevojë për ekstrem.
Dhe mbi të gjitha, mos kërkoni perfeksion. Kërkoni konsistencë. Sepse rezultati nuk vjen nga ajo që bëni një ditë. Vjen nga ajo që bëni çdo ditë. /Telegrafi/





