Policia e Elbasanit ka arrestuar një 32-vjeçar, i cili akuzohet se tentoi të merrte me forcë një 39-vjeçare në automjet, të cilën kishte prej një viti e gjysmë që e përndiqte.
Menjëherë pas njoftimit për një konflikt mes disa shtetasve në ambientet e jashtme të një karburanti në Librazhd, Policia e Elbasanit shkoi menjëherë në vendngjarje për të sqaruar rrethanat dhe për të identifikuar personat e përfshirë.

Nga veprimet hetimore të kryera në kuadër të operacionit të koduar “Insistimi”, u konstatua se shtetasi D. K., 32 vjeç, banues në fshatin Perondi, Kuçovë, kishte tentuar të merrte me forcë një 39-vjeçare në automjet. Më pas, ai kishte goditur me grushte shtetasin që e shoqëronte këtë shtetase dhe ishte larguar nga vendi i ngjarjes.
Falë veprimeve të shpejta operacionale, 32-vjeçari u kap në hyrje të qytetit të Elbasanit ndërsa pas verifikimeve, rezultoi se ai drejtonte automjetin në gjendje të dehur.
Në përfundim, janë sekuestruar automjeti dhe celulari i tij ndërsa materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Elbasanit për veprime të mëtejshme./euronews/





