Ballina LAJME Tension pas aksidentit tragjik në Surdulicë

Tension pas aksidentit tragjik në Surdulicë

40

Dy ditë pas vdekjes së 40-vjeçarit Rastko Joviq, i cili humbi jetën në një aksident të rëndë trafiku në rrugën Vladiçki Han – Surdulicë, pranë fshatit Zhitoragjë, situata në qytet është tensionuar ndjeshëm. Ngjarja ka nxitur protesta dhe reagime të ashpra nga qytetarët, të cilët u mblodhën në qendër të qytetit për të kërkuar drejtësi dhe ndëshkim të rreptë për shoferin e dyshuar si shkaktar i aksidentit. Sipas pretendimeve të disa protestuesve, i riu që drejtonte një automjet tip “Mercedes” dyshohet se ka lëvizur me shpejtësi shumë më të lartë se e lejuara kur u përplas me automjetin “Toyota” të viktimës. Mediat raportojnë se i ndaluari është një 20-vjeçar me inicialet B.F. nga Prizren, megjithëse identiteti i tij nuk është konfirmuar zyrtarisht. Prokuroria Themelore Publike në Vladiçki Han ka njoftuar se i ndaluari do të merret në pyetje dhe se do të vendoset për masën e paraburgimit. Janë kryer analiza gjaku dhe urine, ndërsa rezultatet priten pas ekspertizës. Protesta për drejtësi u shoqërua me incidente. Një lokal që në rrjete sociale lidhej me të dyshuarin u qëllua me vezë, ndërsa sipas raportimeve, një furrë buke në pronësi të familjarëve të tij është qëlluar me gurë. Në rrjete sociale janë dëgjuar edhe thirrje për dëbim dhe linçim të një familjeje shqiptare, duke shtuar tensionet në qytet. Ngjarja ka hapur debat për sigurinë në trafik, përgjegjësinë individuale dhe rrezikun e kolektivizimit të fajit mbi baza etnike. Qyteti mbetet në pritje të vendimeve të organeve të drejtësisë.

Reklama

- Reklamë -