Mes dy këngëtareve të njohura shqiptare, Jonida Maliqi dhe Soni Malaj, ka vijuar tensioni i nisur të hënën gjatë spektaklit, kur një debat i Jonidës me Malborën dhe ndërhyrja e Sonit çoi në replika të forta mes tyre.
Këtë të premte, dy artistet u përballën ballë për ballë, duke mohuar kategorikisht se mes tyre ka inate të vjetra apo përplasje të mëparshme. Megjithatë, edhe gjatë këtij sqarimi, atmosfera mbeti e ndezur dhe debatet nuk munguan.
Jonida u shpreh se të dyja kanë qenë të qarta në qasjen e tyre, por theksoi se nuk kanë pasur mundësi të flasin me njëra-tjetrën jashtë situatës së krijuar. Ajo e konsideroi ndërhyrjen e Sonit si zhgënjyese dhe tha se nëse do të ishte në vendin e saj, nuk do të vepronte njësoj.

“Kemi qenë të qarta në qasje. Nuk kemi pasur mundësi të flasim me njëra-tjetrën. T’i gjitha i kam thënë si i kam menduar. Për mua ishte zhgënjyese. Unë nuk do e bëja po të isha në vendin e saj… për respekt të kohës që kemi kaluar bashkë. Është e turpshme. Ishte një situatë që nuk duhet të ndodhte”, u shpreh Jonida.
Nga ana tjetër, Soni Malaj mohoi të ketë ndonjë problem personal me Jonidën, duke thënë se madje ishte gëzuar kur kishte mësuar se ajo do të ishte pjesë e spektaklit. Sipas saj, reagimi i vetëm erdhi për shkak të asaj që ajo e quajti tallje ndaj Malborës nga Jonida dhe Sara.
“Nuk kam asnjë gjë. Kur kam marrë vesh që do jetë Jonida jam gëzuar. I vetmi reagim i imi është me talljen që i është bërë Malborës nga Jonida dhe Sara… Malbora ka një nënë artiste dhe ajo ka një formim si grua dhe shumë e artikuluar”, tha Soni.
Ajo shtoi se u ndje e shqetësuar kur iu kërkua mendim në prime, duke e konsideruar të padrejtë mënyrën si po trajtohej Malbora, dhe theksoi se do të kishte reaguar njësoj edhe sikur situata të ishte e kundërt.
“Gjatë prime të kaluar ishte përplasje Malbora–Jonida, pastaj kur ti Arbana më kërkove mendim, u shqetësova nga tallja që po i bëhej Malborës. Unë do reagoja edhe po të ishte anasjelltas. Nuk ka konflikt të fshehtë, thjesht ishte reagim për situatën”, u shpreh ajo, duke përfunduar me tone të ashpra: “Ty duhet të të vijë turp nga vetja”.
Përplasja mes dy këngëtareve pritet të komentohen gjerësisht edhe nga publiku, ndërsa mbetet të shihet nëse ato do ta mbyllin përfundimisht këtë debat apo tensionet do të vijojnë edhe në episodet e ardhshme. /Telegrafi/





