Qindra mijëra qytetarë nga Ballkani, përfshirë edhe Serbinë, po vazhdojnë të largohen drejt vendeve të Bashkimit Evropian në kërkim të një jete më të qëndrueshme, si pasojë e kushteve të vështira ekonomike dhe politikave të dobëta në rajon.
Sipas raportimit të Nova ekonomija, bazuar në të dhënat e Eurostat, gjatë periudhës 2013–2024 në vendet e BE-së kanë emigruar gjithsej 494.048 qytetarë të Serbisë.
Vetëm gjatë vitit 2024, rreth 46.000 qytetarë të rinj nga Serbia janë zhvendosur në një nga vendet e BE-së. Numri më i madh i lejeve të para të qëndrimit është dhënë nga Gjermania (rreth 14.500) dhe Kroacia (rreth 10.000). Më pas renditen Austria dhe Sllovenia me rreth 4.000 secila, ndërsa në Sllovaki kanë shkuar rreth 2.500 qytetarë.

Të dhënat tregojnë se emigrimi është rritur ndjeshëm gjatë dekadës së fundit. Në vitin 2013, rreth 0,33 për qind e popullsisë së Serbisë u shpërngul në vendet e BE-së, ndërsa në vitin 2024 kjo përqindje ka arritur në 0,70 për qind. Kjo rritje ka ardhur në një kohë kur numri i përgjithshëm i popullsisë në Serbi është në rënie, duke e bërë edhe më të theksuar trendin e largimit.
Arsyeja kryesore e emigrimit mbetet punësimi. Gjatë vitit 2024, afro 24.000 qytetarë janë larguar për shkak të punës. Më së shumti ata janë punësuar në Kroaci (rreth 10.000), në Gjermani (rreth 3.500) dhe në Slloveni (rreth 2.500).
Nëse analizohen të dhënat për periudhën 2012–2024, Kroacia mbetet destinacioni kryesor me 54.305 qytetarë nga Serbia, e ndjekur nga Gjermania me 45.633, Sllovenia me 28.363, Sllovakia me 22.962 dhe Hungaria me 19.897 qytetarë.
Një pjesë më e vogël e qytetarëve largohen për arsimim. Gjatë vitit 2024 janë dhënë më pak se 2.000 leje qëndrimi për studime. Sllovenia është bërë destinacioni më i preferuar që nga viti 2018, ndërsa më herët dominonte Austria. Vetëm në vitin 2024, rreth 700 leje janë dhënë për Slloveninë, mbi 150 për Hungarinë, rreth 170 për Gjermaninë dhe 147 për Spanjën.
Ndërsa për arsye familjare janë dhënë rreth 15.000 leje qëndrimi në vitin 2024, shumica dërrmuese prej tyre në Gjermani (rreth 8.000). Ky trend vazhdon prej më shumë se një dekade.
Gjermania mbetet destinacioni më i rëndësishëm për emigrim afatgjatë, me numrin e lejeve të qëndrimit që është më shumë se dyfishuar – nga rreth 4.500 në vitin 2012 në afro 10.000 në vitin 2024.
Këto të dhëna konfirmojnë një trend të vazhdueshëm të largimit të qytetarëve nga rajoni drejt vendeve të Bashkimit Evropian, në kërkim të mundësive më të mira ekonomike dhe një jete më të sigurt.






