Në Beograd është zhvilluar një takim ndërmjet përfaqësuesve politikë shqiptarë dhe të Ngarkuarit me Punë të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Alexander Titolo. Në takim mori pjesë edhe deputeti Shaip Kamberi.
Gjatë diskutimeve u trajtua gjendja e shqiptarëve në Luginën e Preshevës, me theks të veçantë te sfidat kryesore që vazhdon të përballet ky komunitet. Ndër çështjet e ngritura ishin përfaqësimi i pamjaftueshëm në institucionet shtetërore, mosnjohja e diplomave të lëshuara në Kosovë, pasivizimi i adresave, si dhe pengesat në zhvillimin ekonomik dhe funksionimin e fondeve. Po ashtu u theksua edhe prania e gjuhës së urrejtjes dhe bllokimi i mbështetjes financiare.
Sipas pjesëmarrësve, këto probleme lidhen drejtpërdrejt me Planin 7-pikësh të vitit 2013 dhe Planin Aksional të vitit 2022, zbatimi i të cilëve, siç u vlerësua, mbetet i paplotë.

Në takim u vlerësua mbështetja e vazhdueshme e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ndërsa u theksua nevoja për rritjen e angazhimit ndërkombëtar në adresimin e çështjeve të ngritura.
Gjithashtu u bë e ditur se, për shkak të mungesës së reagimit nga institucionet në Beograd, këto tema janë ngritur edhe në nivel ndërkombëtar, përfshirë në Senatin dhe Kongresin Amerikan, ku po shqyrtohet avancimi i ligjit HR-6411.
Pjesëmarrësit në takim theksuan se partneriteti me Shtetet e Bashkuara mbetet i rëndësishëm për avancimin e të drejtave të shqiptarëve në Luginën e Preshevës dhe për përmirësimin e perspektivës së tyre në të ardhmen./BujanociNet/




