Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka shprehur pakënaqësi ndaj aleatëve të NATO-s gjatë një takimi të tensionuar me Sekretarin e Përgjithshëm Mark Rutte, duke lënë të kuptohet se po shqyrton masa hakmarrëse për mungesën e mbështetjes në lidhje me luftën në Iran.
Sipas burimeve evropiane, Trump e përdori takimin në Shtëpinë e Bardhë për të shprehur zemërimin për refuzimin e disa vendeve evropiane për të marrë pjesë në operacionin kundër Iranit.
Një zyrtar evropian tha se biseda “shkoi tmerrshëm” dhe u shoqërua me fyerje, ndërsa Trump thuhet se kërcënoi me “masa të ndryshme”, pa dhënë detaje konkrete.

Burimet po ashtu thonë se ai la të kuptohet se pret hapa konkretë nga aleatët për rihapjen e Ngushticës së Hormuzit, një pikë strategjike për transportin global të naftës, shkruan Politico.
Megjithatë, një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë mohoi se Trump ka paraqitur kërkesa ndaj NATO-s, duke thënë se ai nuk ka pritshmëri aktuale nga aleanca.
Sipas tij, NATO “nuk e kaloi testin”, por SHBA nuk ka bërë kërkesa zyrtare, ndërsa vendet evropiane përfitojnë më shumë nga lundrimi në Hormuz sesa SHBA-ja.
Pas takimit, Trump kritikoi publikisht aleatët e NATO-s, ndërsa zyrtarë të aleancës e përshkruan bisedën si të hapur dhe konstruktive, pavarësisht tensioneve.
Ndërkohë, diskutimet brenda NATO-s për veprime konkrete në lidhje me Ngushticën e Hormuzit mbeten në fazë të hershme, ndërsa aleatët theksojnë se çdo veprim do të varet nga përfundimi i konfliktit në rajon. /Telegrafi/





