Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka mbajtur takim pune me zyrtarët e gjendjes civile të komunave të rajonit të Mitrovicës, si dhe me zyrtarët përkatës të Ministrisë së Punëve të Brendshme, të angazhuar në zbatimin e Ligjit për Automjete dhe Ligjit për të Huaj, të cilët kanë hyrë në fuqi më 15 mars të këtij viti.
Gjatë takimit, ministri Sveçla theksoi rëndësinë e koordinimit të vazhdueshëm ndërmjet nivelit qendror dhe atij lokal, me qëllim të zbatimit të unifikuar dhe efikas të vendimeve të fundit të Ministrisë së Punëve të Brendshme.
Në vijim, ai nënvizoi se roli i zyrtarëve është thelbësor për mbarëvajtjen e këtij procesi, duke veçuar informimin në kohë dhe të saktë të qytetarëve dhe bashkëpunimin me ta si elemente kyçe për arritjen e rezultateve të synuara.

Në këtë kontekst, ministri Sveçla tha se Ministria e Punëve të Brendshme është duke punuar me kapacitet të plotë institucional për të siguruar që procesi i filluar të zhvillohet në përputhje me dinamikën e paraparë dhe me standardet ligjore në fuqi.
Ai shtoi se MPB është në koordinim të ngushtë me komunat, Policinë e Kosovës dhe Agjencinë e Regjistrimit Civil, me qëllim të garantimit të zbatimit të plotë të obligimeve ligjore nga të gjitha palët e përfshira.
Gjithashtu, është bërë e ditur se, me qëllim të lehtësimit të zbatimit të këtij procesi, MPB ka themeluar ekipe të veçanta mbështetëse, të cilat do të ofrojnë asistencë dhe sqarime për çdo paqartësi që mund të paraqitet gjatë trajtimit të kërkesave, duke kontribuar në rritjen e efikasitetit në procedurat administrative.
Ministria e Punëve të Brendshme mbetet e përkushtuar për zbatimin e plotë të legjislacionit në fuqi dhe për forcimin e bashkëpunimit ndërinstitucional, në funksion të ofrimit të shërbimeve sa më cilësore për qytetarët, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Punëve të Brendshme.





