Struga fiton Pelisterin në Manastir dhe mbetet në garë për titull

Struga Trim Lum e kreu me sukses misionin në udhëtim të vështirë në Manastir, duke mposhtur Pelisterin me rezultat të pastër 2-0 dhe duke qëndruar fuqishëm në garë me rivalët kryesorë për kreun e tabelës në elitën e futbollit vendor, njofton Telegraf...

Sport
Reklame

Struga Trim Lum e kreu me sukses misionin në udhëtim të vështirë në Manastir, duke mposhtur Pelisterin me rezultat të pastër 2-0 dhe duke qëndruar fuqishëm në garë me rivalët kryesorë për kreun e tabelës në elitën e futbollit vendor, njofton Telegrafi.

Ndeshja nisi me vonesë, ndërsa minutat e para i takuan vendasve, që u shfaqën më kërkues. Kapiteni Mirko Ivanovski fitoi një goditje dënimi në një pozicion mjaft premtues, por përpjekja e Milan Srbijanac u ndal nga muri mbrojtës i mysafirëve. Me kalimin e kohës, Struga mori kontrollin e lojës dhe filloi të imponojë ritmin e saj. Rasti i parë serioz erdhi pas minutës së 20-të, kur Kompaore provoi të befasojë portierin Jovçevski, por pa sukses.

Epërsia e Strugës u konkretizua në momentin më të mirë të mundshëm, pak para pushimit. Në minutën e 45-të, pas një krosimi të saktë nga e djathta të Arbi Voshës, Marjan Radeski u ngrit më lart se mbrojtja dhe me kokë dërgoi topin në rrjetë për 0-1.

Në pjesën e dytë, vendasit kërkuan reagim dhe pretenduan për penallti pas një prekjeje me dorë të Kompaore, por gjyqtari lejoi lojën të vazhdojë. Ironikisht, i njëjti lojtar ishte pranë golit në aksionin pasues, por goditja e tij me kokë përfundoi mbi portë.

Struga vazhdoi të jetë më këmbëngulëse dhe krijoi presion të vazhdueshëm. Radeski ishte shumë pranë golit të dytë, por këtë herë shtylla i mohoi gëzimin. Nga ana tjetër, Pelisteri arriti të shënojë përmes Boshkovskit pas një goditjeje këndi, por goli u anulua për pozitë jashtë loje.

Në minutat e fundit, vendasit rrezikuan, por mungesa e finalizimit i penalizoi. Kompaore dukej se vulosi gjithçka me një gol tjetër, por VAR-i ndërhyri dhe e anuloi për faull në aksion. Megjithatë, dilemat u shuan pak më vonë, kur, Kristian Maleski i ardhur nga banka rezervë, realizoi për 0-2 dhe konfirmoi fitoren e rëndësishme të Strugës.

Pas kësaj fitoreje, në krye të tabelës me nga 58 pikë qëndrojnë Vardari dhe Shkëndija, ndërsa Struga i ndjek tashmë me 53 pikë, duke mbetur pesë pikë larg kreut. /Telegrafi/