Real Madridi dhe trajneri Jose Mourinho kanë hartuar një strategji të përbashkët për të mbrojtur dhe orientuar Vinicius Junior, si në fushën e lojës, ashtu edhe përballë presionit mediatik.
Sipas një raportimi të “Mundo Deportivo”, qasja e klubit madrilen përfshin mbështetje të fuqishme publike ndaj brazilianit, ndërsa paralelisht po zhvillohet një punë e vazhdueshme brenda klubit për ta ndihmuar atë të ruajë qetësinë dhe të fokusohet te futbolli.
Pas incidenteve të fundit në ndeshjen ndaj Espanyolit, Mourinho doli publikisht në mbrojtje të Viniciusit, duke kritikuar mënyrën se si sulmuesi trajtohet në stadiumet kundërshtare.
“Vini Jr. tani është imi. Vini Jr. nuk është një shenjtor, por ajo që po i bëjnë është e tepërt. Kjo nis që nga minuta e parë. Mendoj se ekziston një model i qëllimshëm, diçka që përsëritet nga një kundërshtar te tjetri”, deklaroi Mourinho.
Trajneri portugez theksoi se ndaj brazilianit shpesh përdoret një strategji ku lojtarët e kundërshtarit alternohen për ta ndalur me faulle.
“Fillimisht më godet mua, pastaj ti e godet atë. Nëse unë marr karton të verdhë, ti vazhdon. Unë largohem sepse kam karton dhe hyn një lojtar i freskët, pa karton, që vazhdon ta godasë”, shtoi ai.
Në të njëjtën kohë, edhe kanalet mediatike të Real Madridit kanë forcuar këtë qëndrim, duke vënë në pah numrin e madh të faulleve që Vinicius pëson gjatë ndeshjeve.
Megjithatë, mbështetja publike shoqërohet me kërkesa të qarta brenda dhomave të zhveshjes.
Mourinho dhe drejtuesit e klubit i kanë bërë të ditur brazilianit se duhet të ruajë kontrollin emocional dhe të mos përfshihet në provokimet e tifozëve apo tensionet e ndeshjeve.
Vetë Mourinho zbuloi edhe bisedën që pati me Viniciusin në pushimin e ndeshjes së fundit.
“Duhet të ketë një kontroll shumë të madh emocional. Në pjesën e parë i thashë me detaje: ‘Nëse shënon gol, ki kujdes se si e feston, në mënyrë që të mund të të mbaj në fushë’”, tregoi trajneri.
Për stafin teknik të Real Madridit, sfida kryesore është që energjia dhe karakteri i fortë i Viniciusit të kanalizohen në atë që ai bën më së miri, lojën me topin.
“Duhet ta edukojmë sa më shumë që të jetë e mundur dhe ta përgatisim sa më shumë. Kaq”, përfundoi Mourinho, duke ia lënë tashmë Viniciusit përgjegjësinë për t’i zbatuar këto udhëzime në ndeshjet e ardhshme. /Telegrafi/






