Barcelona e drejtuar nga Hansi Flick nuk është thjesht një skuadër. Nëse e shikon Barcelonën e Flick vetëm në fazën nokaut të Ligës së Kampionëve, atëherë po humb shumëçka.
Aktualisht në Evropë ka ekipe më të organizuara, me përbërje më të fortë dhe ndoshta më efikase, por nuk ka asnjë që ofron spektakël si katalanasit.
Kur sheh ekipe si Bayern Munich, e di saktësisht çfarë të pret – një makineri e pamëshirshme që rrallë gabon. Arsenal ka strukturë dhe disiplinë, ndërsa Paris Saint-Germain i Luis Enrique është “kaosi më i organizuar” në futbollin modern.

Por Barcelona? Ajo është diçka tjetër. Një përzierje e disiplinës gjermane me pasionin latin – një ekip që fiton dhe humb me dramë, por gjithmonë dhuron spektakël.
Dy ndeshjet ndaj Atletico Madrid në Kupën e Mbretit përshkruajnë më së miri këtë Barcelonë: kolaps në një ndeshje, heroizëm në tjetrën.
Barcelona mund të mos luajë gjithmonë futbollin më perfekt në botë, por ndeshjet e saj janë spektakël i pastër – reklama më e mirë që mund të ketë futbolli.
Edhe ndaj Newcastle United, kundërshtari ishte i barabartë në tri nga katër pjesët e lojës, por sërish u mposht me rezultat të përgjithshëm 8-3. Një histori e ngjashme u pa edhe ndaj Real Sociedad.
Një ekip që ecën mbi “tel” dhe filozofia e Flick – “presion mbi gjithçka”
Flick ka krijuar një skuadër që luan në kufijtë e rrezikut – një ekip që ecën mbi tel. Barcelona sulmon me guxim, por mbrojtja shpesh mbetet e ekspozuar.
Ky stil i çon drejt finales së madhe, por njëkohësisht i bën të brishtë ndaj çdo gabimi. Pikërisht kjo e bën Barcelonën kaq tërheqëse për t’u parë – ndërsa të tjerët kërkojnë siguri, ata luajnë me zjarrin.
Në dimër, lojtarët kërkuan më shumë pragmatizëm, por pa guximin e Flick nuk do të ekzistonte ajo pjesë e dytë spektakolare ndaj Newcastle.
Vetë trajneri e ka bërë të qartë filozofinë e tij: “Duhet të jemi të bashkuar dhe distancat mes lojtarëve të jenë të vogla. Kur humbim topin, duhet të bëjmë presion menjëherë. Pa presing, nuk ka mbrojtje”.
Për Flick, nuk ka rëndësi nëse luan lart apo poshtë – gjithçka nis nga presioni.
Gjermani po e shtyn ekipin në kufijtë maksimalë të futbollit modern. Ajo që arriti më parë me Bayernin Munich ishte vetëm parapërgatitje për këtë projekt.
Rënia mund të vijë në çdo moment, por deri tani ka ndodhur vetëm një herë – dhe shumë ngushtë.
Një gjë është e sigurt: Barcelona e Flick është aktualisht spektakli më i madh në futbollin botëror. /Telegrafi/





