Spanjën apo Marokun? Thiago Pitarch mes një dileme të madhe se kë të përfaqësojë para Kupës së Botës

Mesfushori i ri Thiago Pitarch po kthehet në një nga zbulimet më të mëdha te Real Madridi i ri i drejtuar nga Alvaro Arbeloa, duke tërhequr vëmendjen jo vetëm për paraqitjet e tij, por edhe për një dilemë të rëndësishme që lidhet me përfaqësuesen. 18...

Sport

Mesfushori i ri Thiago Pitarch po kthehet në një nga zbulimet më të mëdha te Real Madridi i ri i drejtuar nga Alvaro Arbeloa, duke tërhequr vëmendjen jo vetëm për paraqitjet e tij, por edhe për një dilemë të rëndësishme që lidhet me përfaqësuesen.

18-vjeçari ka marrë kontrollin e mesfushës në një periudhë delikate për klubin, duke lënë përshtypje sikur ka vite që luan në nivelin më të lartë. Edhe pse ka vetëm shtatë ndeshje në elitë, ai ka treguar një stil të veçantë loje, ndërsa vlera e tij në treg është rritur ndjeshëm – nga 5 milionë euro në 20 milionë euro.

Rasti i tij u diskutua në emisionin “El Larguero” në Cadena SER, ku gazetari Hector González dha detaje mbi situatën e lojtarit, si te Real Madridi ashtu edhe te kombëtarja e Spanjës. Edhe pse shumë tifozë e kanë njohur vetëm së fundmi, Pitarch ka qenë prej kohësh pjesë e kategorive të reja të “La Rojas”.

Megjithatë, situata bëhet interesante për shkak të origjinës së tij – gjyshërit nga ana e babait janë nga Maroku. Kjo e vendos atë në një situatë të ngjashme me Brahim Díaz, i cili zgjodhi të përfaqësojë Marokun pas mungesës së hapësirave te Spanja.

Sidoqoftë, sipas raportimeve, ky nuk pritet të jetë rasti i Pitarchit.

“Gjyshërit e Thiagos janë nga Maroku dhe federata marokene ka shfaqur interesim për të, ashtu siç ndodhi me Brahim Diaz. Por është e vërtetë që ai ka marrë pjesë me Spanjën në Kupën e Botës U-20”.

Nga ana tjetër, drejtuesi i emisionit, Manu Carreno, ka theksuar se asgjë nuk është e sigurt derisa një lojtar të marrë ftesë nga përfaqësuesja A.

“E dimë të gjithë që asgjë nuk është e sigurt derisa të vijë ftesa nga kombëtarja e madhe. Deri atëherë, gjithçka mund të ndryshojë”.

Megjithatë, njerëzit pranë lojtarit janë të bindur për zgjedhjen e tij.

“Mund të jeni të qetë, zemra e Thiagos është me Spanjën. Ai po e menaxhon shumë mirë gjithçka që po i ndodh te Real Madridi, hap pas hapi, ndeshje pas ndeshjeje, me këmbë në tokë. Sa i përket kombëtares, hapi më natyral është të fillojë me U-21”.

Madje, sipas Hector Gonzalez, nëse përzgjedhësi Luis de la Fuente do ta ftonte në listën e radhës, Pitarch nuk do të hezitonte aspak dhe do të pranonte menjëherë.

Dilema më e madhe mbetet: çfarë do të ndodhte nëse Spanja e fton për U-21, ndërsa Maroku për ekipin A – sidomos me Kupën e Botës që po afrohet?./Telegrafi/