“Sot nuk luajtëm vetëm kundër Dukagjinit” –  Prishtina e Re e ashpër me gjyqtarin Mervan Bejtullahu

Prishtina e Re ka reaguar pas ndeshjes së zhvilluar sot në Klinë, ku sipas tyre, përballë kishte Dukagjinin dhe gjyqtarin Mervan Bejtullahu. Klubi ka lëshuar një komunikatë për media, duke shprehur indinjatën e tij të thellë për vendimet që sipas tyr...

Sport

Prishtina e Re ka reaguar pas ndeshjes së zhvilluar sot në Klinë, ku sipas tyre, përballë kishte Dukagjinin dhe gjyqtarin Mervan Bejtullahu.

Klubi ka lëshuar një komunikatë për media, duke shprehur indinjatën e tij të thellë për vendimet që sipas tyre kanë cenuar garën dhe besueshmërinë e saj.

Në njoftim, Prishtina e Re thekson se në minutën 6 nuk u ndëshkua me karton lojtari me numrin 2 të Dukagjinit, pas një ndërhyrjeje ndaj Lorik Dobratiqit.

Më vonë, në minutën 11, nuk u akordua karton i kuq për të njëjtin lojtar për një rast të pastër shënimi, duke shkelur rregulloren e IFAB.

Në minutën 78, sipas komunikatës, nuk u akordua penallti pas ndërhyrjes ndaj Rion Rushitit, dhe më vonë u mohua një tjetër rast i pastër shënimi pas ndërhyrjes ndaj Florijan Kadriut nga kapiteni i Dukagjinit, pa u ndëshkuar me karton të kuq.

Klubi kritikon gjithashtu ndërprerjet e panevojshme, kartonët e pajustifikuar dhe vendimet kontraverse që sipas tyre deformuan rrjedhën e lojës.

“Këto nuk janë më gabime. Këto janë vendime që krijojnë precedent të rrezikshëm për garën. Nëse kalojnë pa përgjegjësi dhe reagim institucional, nuk është vetëm një ndeshje që dëmtohet, por po shkatërrohet komplet gara”, thuhet në komunikatë.

Prishtina e Re bën thirrje për përgjegjësi dhe përkujdesje nga institucionet për të ruajtur neutralitetin dhe integritetin e futbollit kosovar. /Telegrafi/