Ekuipazhi i Artemis II është kthyer i sigurt në Tokë pas një misioni rekord që i çoi deri në anën e largët të Hënës, duke udhëtuar më larg nga planeti i tyre se çdo njeri në histori.
Njerëzit kanë kaluar miliona vjet evolucion për t’u përshtatur me jetën në Tokë, prandaj qëndrimi në hapësirë – pa gravitet, pa dritë dielli dhe me nivele të ndryshme rrezatimi – paraqet një sfidë të madhe fizike.
Pra, cilat janë shqetësimet kryesore shëndetësore që sjell udhëtimi në hapësirë dhe si i përballon NASA ato?

Astronautët ekspozohen ndaj rrezatimit me energji të lartë në hapësirë, ndryshe nga Toka ku atmosfera dhe fusha magnetike e planetit ofrojnë mbrojtje.
Kjo mund të shkaktojë dëmtime në ADN, rritje të rrezikut për kancer, efekte neurodegjenerative, probleme kardiovaskulare dhe çrregullime të sistemit imunitar, thonë ekspertët.
Stacioni Ndërkombëtar Hapësinor (ISS), ku astronautët kalojnë shumë kohë, është disi i mbrojtur nga rrezatimi falë magnetosferës së Tokës, pasi ndodhet rreth 250 milje (402 km) larg.
Por sa më larg të shkosh në hapësirë, aq më shumë rrezatim përthith, thotë Dr. Haig Aintablian, drejtor i mjekësisë hapësinore në UCLA.
“Pasi kalon orbitën e ulët të Tokës, humbet shumicën e mbrojtjes së fushës magnetike të Tokës”, tha ai për Sky News, duke shtuar se rrezatimi është një nga sfidat më të mëdha të hapësirës së thellë.
Të notosh në hapësirë mund të duket argëtuese, por graviteti luan rol kritik në funksionimin e trupit, dhe mungesa e tij ndikon negativisht në shëndetin e njeriut, sipas ekspertëve.
“Trupi është ndërtuar për të jetuar dhe funksionuar në gravitet. Kur ai sinjal hiqet, veshi i brendshëm duhet të rikalibrohet, muskujt dhe eshtrat përdoren ndryshe, dhe lëngjet zhvendosen drejt kokës”, thotë Dr. Aintablian.
“Për këtë arsye shohim ndryshime në ekuilibër, forcë dhe, në disa raste, edhe në shikim”, deklaroi ai.
Astronautët përdorin pajisje të veçanta ushtrimesh gjatë misioneve për të përballuar mungesën e forcave gravitacionale që zakonisht aktivizojnë trupin në Tokë.
Në mënyrë të rëndësishme, ata dihet se humbin dendësi kockore, që do të thotë se eshtrat bëhen më të dobëta dhe më të brishta.
Sipas NASA-s, për çdo muaj në hapësirë, eshtrat që mbajnë peshë humbin rreth 1 për qind të dendësisë nëse nuk merren masa parandaluese.
Ata gjithashtu mund të përjetojnë atrofizim të muskujve, pra dobësim dhe hollim të indeve muskulore gjatë qëndrimit në hapësirë.
Dhimbjet e kokës janë gjithashtu të zakonshme për njerëzit në hapësirë. Një studim i publikuar në vitin 2024 zbuloi se 22 nga 24 astronautë të anketuar, që kishin qëndruar deri në 26 javë në hapësirë, kishin përjetuar shpesh dhimbje koke gjatë qëndrimit larg Tokës.
Dr. Aintablian thotë se shqetësime të tjera të zakonshme shëndetësore përfshijnë edhe sëmundjen e lëvizjes (të përziera nga lëvizja…). /Telegrafi/





