Në shtator të vitit 2024, Matthew Gallagher, sipërmarrës nga Los Angeles, nisi një kompani telemjekësie të quajtur Medvi, duke punuar nga shtëpia dhe me vetëm 20 mijë dollarë kapital fillestar.
Ai përdori më shumë se një duzinë mjetesh inteligjence artificiale për të ndërtuar platformën, përfshirë shkrimin e kodit, krijimin e përmbajtjes për faqen e internetit dhe reklamat, si dhe për të menaxhuar shërbimin ndaj klientit.
Në vitin e saj të parë, Medvi arriti 401 milionë dollarë shitje, ndërsa për vitin 2026 pretendohet të arrijë rreth 1.8 miliard dollarë në të ardhura, pavarësisht se ka vetëm dy punonjës të përhershëm – vetë Gallagheri dhe vëllai i tij Elliot – ndërkohë që përdor partnerë të jashtëm për shërbimet mjekësore dhe shpërndarjen e barnave.
Gallagher pohoi se përdori mjete të tilla si ChatGPT, Claude, Grok, MidJourney dhe Runway për pjesë të ndryshme të biznesit, ndërsa shërbimet e licencuara të mjekëve dhe përputhshmëria u menaxhuan nga platforma të jashtme si CareValidate dhe OpenLoop Health.
Medvi u karakterizua nga rritje jashtëzakonisht e shpejtë – me rreth 250 mijë klientë deri në fund të vitit 2025 dhe rritje në 500 mijë dhe më shumë pacientë në vitin 2026, sipas pretendimeve të faqes së kompanisë, shkruan thenewyorktimes.
Megjithatë, kompanisë i është dërguar një letër paralajmëruese nga FDA (Administrata e Ushqimit dhe Barnave të SHBA) në shkurt 2026, në lidhje me pretendimet e pasakta për produktet e saj dhe mënyrën se si ato paraqiten në faqen e internetit – përfshirë pretendime që sugjeronin aprovimin e produkteve që nuk ishte kryer nga FDA.
FDA paralajmëroi se mosndryshimi i shkeljeve mund të çojë në sekuestro ose ndalime ligjore.
Analiza e reklamave dhe përmbajtjes në rrjetet sociale zbuloi se disa fushata përdornin persona të krijuar nga inteligjenca artificiale me tituj mjekësorë të fabrikuar, si dhe video dhe dëshmi të sajuara.
Disa reklama shfaqnin persona me emra si “Dr. Robert Whitworth”, “Professor Albust Dongledore” apo “Dr. Richard Hörzgock”, të cilët rezultonin të jenë të sajuar dhe adresat e dhëna nuk ekzistonin.
Në faqen e Medvi janë listuar dy mjekë të vërtetë, por verifikimet treguan se asnjëri prej tyre nuk ka certifikime speciale që pretendohen, dhe lidhja e tyre me Medvi ose praktikën e tyre mjekësore duket e paqartë.
Në vitet e fundit janë ngritur disa padi ndaj Medvi dhe kompanive të lidhura menjëherë, duke përfshirë akuza për shitje të produkteve me pretendime të paqëndrueshme shkencore dhe akuza të tjera të lidhura me mashtrime të konsumatorit dhe praktika tregtare të diskutueshme. /Telegrafi/






