Shqiprim Musliu, kryetar i LPD-së në Bujanoc, ka reaguar ashpër ndaj një dokumenti të shpërndarë nga Kuvendi i Bujanocit, i cili është dorëzuar si pjesë e materialeve për seancën e planifikuar të mbahet të mërkurën, më 25 mars 2026.
Sipas Musliut, ndër pikat e shumta të rendit të ditës, pika e 20-të ka qenë jo vetëm befasuese, por edhe thellësisht shqetësuese për qytetarët.
Ai theksoi se në udhërrëfyesin lokal për Komunën e Bujanocit, ku prezantohen të dhënat e përgjithshme për komunën, pushteti aktual – të cilin ai e cilëson si të vetëquajtur “i ndryshimit” – ka përdorur formulime të papranueshme lidhur me Kosovën. Sipas tij, në versionin serbisht është përdorur termi “АП Косово и Метохија”, ndërsa në shqip “(Krahina Autonome) KA e Kosovës”.
“Kjo është e papranueshme. Kjo është fyerje për çdo qytetar. Kjo është një përpjekje e hapur për të shtrembëruar të vërtetën dhe për të cenuar dinjitetin tonë,” ka deklaruar Musliu.

Ai shtoi se institucionet nuk duhet të bëhen pjesë e formulimeve që, sipas tij, nënçmojnë realitetin dhe ndjenjat e qytetarëve, duke paralajmëruar se heshtja në këtë rast do të nënkuptonte dorëzim.
Musliu e cilësoi këtë rast si një skandal që nuk duhet të kalojë pa reagim, duke theksuar se kjo nuk është çështje politike, por çështje dinjiteti.
“Qytetarët meritojnë respekt, jo provokime. Mjaft më me vendime që ofendojnë! Mjaft më me ‘ndryshime’ që sjellin vetëm përkeqësim! Koha është për përgjegjësi dhe reagim, sepse dinjiteti i qytetarëve nuk negociohet,” përfundoi ai./BujanociNet/

https://www.facebook.com/share/1Bg7E1g5fD/





