Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, sot priti me ceremoni ushtarake ministrin e Mbrojtjes së Republikës së Shqipërisë, Ermal Nufin, i cili ishte i shoqëruar nga delegacioni i tij.
Sipas një njoftimi për media thuhet se në delegacionin pritës ishte edhe komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Bashkim Jashari së bashku me zyrtarë të lartë të Ministrisë së Mbrojtjes.

Takimi ndërmjet dy ministrave u zhvillua me përzemërsi në vijim të agjendës zyrtare, ndërsa më pas u mbajt konferenca për media. Në vazhdim, u realizua edhe takimi dypalësh ndërmjet delegacioneve.
“Republika e Shqipërisë vazhdon të kontribuojë në fuqizimin e FSK-së përmes trajnimeve dhe edukimit që bëjnë pjesëtarët tonë në Shqipëri, përmes bashkëpunimit të ngushtë ndërmjet dy vendeve dhe përmes prezencës në kuadër të misionit të KFOR-it, ku Republika e Shqipërisë luan një rol të veçantë. Gjatë takimit diskutuam për thellimin e bashkëpunimit edhe në fusha të tjera duke përfshirë industrinë e mbrojtjes, sektor i rëndësishëm dhe i domosdoshëm për kohët kur po jetojmë. Andaj, do të punojmë më gjerësisht për të identifikuar këtë fushë. Jam falënderues për gatishmërinë në mbështetjen e Kosovës dhe në rrugën e integrimit në NATO, në promovimin e Kosovës në kuadër të NATO-s, por në veçanti si Ministri në bashkëpunimin regjional që kemi me Shqipërinë dhe Kroacinë në këtë aspekt”, tha ministri Maqedonci.
Ndërsa, ministri i Mbrojtjes i Shqipërisë, Ermal Nufi, falënderoi ministrin Maqedonci për pritjen e ngrohtë dhe ndër të tjera theksoi se Republika e Shqipërisë qëndron krah për krah me Kosovën dhe në rrugëtimin e saj që nga fillimi.
Ai theksoi se bashkëpunimi në industrinë e mbrojtjes është thelbësore për ngritjen e kapaciteteve dhe garantimin e sigurisë të dy vendeve dhe se thellimi i bashkëpunimit në veçanti në industrinë e mbrojtjes, i përket të dy palëve.
Të dy ministrat e Mbrojtjes theksuan se bashkëpunimi në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë në mes të dy vendeve do të thellohet edhe më tej duke e parë këtë si avancim drejt së ardhmes. /Telegrafi/





