Korrupsioni në shëndetësi është një fenomen i normalizuar. Pacientët shpesh nuk e njohin atë dhe pothuajse askush nuk e raporton atë, janë përfundimet kryesore të hulumtimit mbi përvojat, perceptimet dhe qëndrimet e qytetarëve rreth praktikave korruptive në sistemin e kujdesit shëndetësor.
Sipas raportit, pothuajse 90% e qytetarëve të anketuar thanë se nuk u është kërkuar, dhe plot 94% se nuk kanë ofruar korrupsion gjatë përdorimit të shërbimeve të kujdesit shëndetësor në 12 muajt e fundit, thonë nga Shoqata për Emancipim, Solidaritet dhe Barazi të Grave – “ESE”.

“Kujdesi shëndetësor është një nga sektorët me ndryshimin më të theksuar midis korrupsionit të perceptuar dhe atij të raportuar. Mosraportimi i praktikave korruptive nga qytetarët është më shpesh rezultat i frikës nga pasojat negative, humbja e aksesit në shërbimet shëndetësore ose hakmarrja.”, – deklaroi Darko Antiq nga Shoqata për emancipim, solidaritet dhe barazi të grave “ESE”.
Sipas hulumtimit, dhënia e parave ose dhuratave është forma më e zakonshme e korrupsionit në shëndetësinë e vendit. Deri në 83 për qind e rasteve bien në këto kategori. Kjo pasohet nga praktikat e referimit në një institucion privat shëndetësor ose referimi në një farmaci për të blerë një ilaç specifik.
“Më pak përparësi kanë pacientët që duhet të sigurojnë shpejt takime, shërbime diagnostikuese dhe shtrim në spital ose procedura kirurgjikale. Sipas përvojave të qytetarëve, shërbime të tilla shpesh nuk merren, ose nuk ofrohen brenda një afati kohor të përshtatshëm, derisa të paguhet një ryshfet”, – theksoi Borjan Pavlovski nga Shoqata “ESE”.
Sipas hulumtimit, gratë janë më të ekspozuara ndaj korrupsionit sesa burrat. Një e katërta ose 25.3 për qind, e të anketuarve raportuan një përvojë korruptive kur përdorin kujdesin shëndetësor gjinekologjik dhe obstetrik. Rezultatet e hulumtimit tregojnë se korrupsioni në kujdesin shëndetësor zvogëlon besimin e pacientëve. Rekomandimi kryesor është të krijohen kanale të sigurta dhe të besueshme për raportimin e korrupsionit. /rtvm2





