Shkëndija “foli” me gjuhën e kampionit, mundi Vardarin në Shkup

Kampioni aktual tregoi karakter dhe forcë në momentin më të rëndësishëm të sezonit. Shkëndija bëri një hap të madh në garën për titull në Ligën e Parë të Maqedonisë së Veriut, pasi në transfertën e vështirë në Shkup mposhti Vardarin me rezultat minimal 0-1, njofton Telegrafi.

Heroi i kuqezinjve ishte Liridon Latifi, i cili realizoi në pjesën e dytë dhe i dha Shkëndijës një fitore të artë që e afron vetëm një pikë me kreun e tabelës. Për më tepër, kjo ishte humbja e parë e Vardarit këtë sezon në kampionat.

Ndeshja nisi me ritëm të kujdesshëm nga të dyja skuadrat, me shumë duele në mesfushë dhe pak hapësira për raste të pastra shënimi. Goditja e parë drejt portës erdhi vetëm në mesin e pjesës së parë, kur Webster provoi nga distanca, por përpjekja e tij përfundoi larg portës së mbrojtur nga Taleksi.

Pjesa e dytë nisi me më shumë iniciativë nga kampionët. Shkëndija vazhdoi të kërkojë golin, ndërsa trajneri Jeton Beqiri freskoi repartin ofensiv duke futur në lojë përvojën e Besart Ibraimit dhe energjinë e Spahiut. Pikërisht këto ndryshime do të rezultonin vendimtare.

Në minutën e 66-të erdhi momenti që vendosi ndeshjen. Besart Ibraimi tregoi klas dhe përvojë të madhe edhe pse kishte mundësi të godiste vetë, ai shërbeu në mënyrë perfekte për Latifin, i cili nuk gaboi dhe dërgoi topin në rrjetë për 0-1.

Pas golit, Shkëndija menaxhoi me shumë maturi epërsinë, duke treguar pjekuri kampioni. Vardari tentoi të reagojë në minutat e fundit dhe rrezikoi me Zakariqin, por portieri Gaye ishte në nivel të lartë dhe ruajti portën e paprekur.

Në fund, Shkëndija largohet nga Shkupi me tri pikë të mëdha që e mbajnë fort në garën për titull dhe njëkohësisht konfirmon statusin e saj si kampion aktual që di të fitojë edhe në ndeshjet më të vështira të sezonit.