Shea në 27-vjetorin e bombardimeve të NATO-s: Paqeruajtësit ende janë të nevojshëm në Kosovë

Në 27-vjetorin e ndërhyrjes historike të NATO-s mbi caqet ushtarake dhe policore serbe në ish-Jugosllavi për të ndalur dhunën e forcave serbe kundër shqiptarëve në Kosovë, ish-zëdhënësi i Aleancës Veriatlantike gjatë kohës së bombardimeve, Jamie Shea...

Nacionale

Në 27-vjetorin e ndërhyrjes historike të NATO-s mbi caqet ushtarake dhe policore serbe në ish-Jugosllavi për të ndalur dhunën e forcave serbe kundër shqiptarëve në Kosovë, ish-zëdhënësi i Aleancës Veriatlantike gjatë kohës së bombardimeve, Jamie Shea, bën një bilanc të rrugëtimit të Kosovës nga 24 marsi i vitit 1999 e deri më sot.

Ndonëse liria, pavarësia dhe ndërtimi i institucioneve demokratike mbeten trashëgimia e padiskutueshme e asaj fushate ajrore, mesazhet e tij sot vijnë me një ton paralajmërues.

Përtej arritjeve, Shea tërheq vëmendjen se siguria e Kosovës mbetet e brishtë dhe se klasa politike nuk po arrin të ndërtojë një paqe të qëndrueshme dypalëshe.

Ai nuk përjashton deklarimet për rrezikun e një tërheqjeje të mundshme të trupave amerikane nga KFOR-i.

Duke i përmendur sinjalet që vijnë nga Pentagoni në këtë drejtim, Shea thekson se megjithëse misioni paqeruajtës në një skenar tjetër mund t’i mbijetojë këtij largimi duke u mbështetur te forcat evropiane dhe turke nën një operacion të udhëhequr nga BE-ja, realiteti për Prishtinën mbetet i brishtë.

Sipas tij, nuk është ende koha që vendi të mbështetet vetëm te forcat e veta të brendshme, prandaj vlera dekurajuese e një force ndërkombëtare mbetet jetike.

“Kosovarët meritojnë të jetojnë në paqe dhe barra e ruajtjes ndërkombëtare të paqes është gjithmonë më e vogël se kostoja e ndërhyrjeve të reja ushtarake nëse dhuna do të rikthehej ndonjëherë”- tha Shea për KALLXO.com.

Shea jep një vlerësim të ashpër për situatën aktuale politike në Kosovë dhe dialogun me Serbinë, duke e cilësuar atë “jo aty ku duhet të jetë”.

Për të ecur përpara, ai bën thirrje që politika kosovare të dalë nga cikli i pafundmë zgjedhor, të gjejë stabilitet qeverisës, të pajtohet për zgjedhjen e një Presidenti të ri, dhe të avancojë marrëdhëniet e besimin me SHBA-në dhe Bashkimin Evropian.

Po ashtu, në lidhje me Dialogun Kosovë-Serbi, ish-zyrtari i lartë i NATO-s kërkon një ndërhyrje shumë më të ashpër të Bashkimit Evropian ndaj Serbisë, duke ia kushtëzuar anëtarësimin me njohjen e Kosovës.

Ndërkaq, në një rrafsh më të gjerë diplomatik, Shea ‘shfryn flluskën’ e deklaratave të Donald Trump.

Ai e cilëson pretendimin e presidentit amerikan për “përfundimin e luftës” në Kosovë si të pavërtetë, ose të paktën të parakohshëm, duke theksuar se ky “sukses” mund të pretendohet vetëm kur Uashingtoni të ushtrojë presion real për ta detyruar Beogradin të ulet seriozisht në tryezën e bisedimeve.