Një vendim i bujshëm ka ardhur nga Konfederata Afrikane e Futbollit (CAF), pasi Komiteti i Apelit ka vendosur t’ia heqë titullin Senegalit nga Kupa e Kombeve të Afrikës 2026 dhe të shpallë kampion Marokun.
Sipas vendimit zyrtar, finalja e këtij edicioni mes Senegalit dhe Marokut është regjistruar me rezultat 3-0 në favor të marokenëve, pasi është konstatuar se përfaqësuesja e Senegalit ka shkelur rregulloren duke u tërhequr nga loja.
Ky vendim erdhi pas apelit të paraqitur nga Federata Marokene e Futbollit, i cili u bazua në nenet 82 dhe 84 të rregullores së garës.

Megjithatë, pala senegaleze nuk e pranon këtë vendim dhe insiston që të mbetet në fuqi rezultati i arritur në fushë, ku ata u shpallën kampionë.
Në një reagim zyrtar, Federata e Futbollit të Senegalit e ka cilësuar vendimin si të padrejtë dhe të paprecedentë, duke paralajmëruar hapa të mëtejshëm ligjorë.
“Federata Senegaleze e Futbollit dënon një vendim të padrejtë, të pashembullt dhe të paprecedentë,” thuhet në komunikatë.
Më tej, federata bëri të ditur se do ta dërgojë çështjen në Gjykata e Arbitrazhit Sportiv (CAS) në Lozanë, për të mbrojtur të drejtat dhe interesat e futbollit senegalez.
“FSF riafirmon angazhimin e saj ndaj integritetit dhe drejtësisë sportive dhe do të mbajë publikun të informuar për çdo zhvillim në këtë çështje”, thuhet në reagimin e senegalezëve. /Telegrafi/





