Senegali ka nisur një apel në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv pasi iu hoq titulli i Kupës së Kombeve të Afrikës, të cilin fillimisht e kishin fituar në fushë kundër Marokut.
Lëvizja u konfirmua nga zyrtari i federatës, Moussa Mbaye, i cili njoftoi mbi veprimin e fundit të senegalezëve.

“Ky është një proces ligjor që do ta nisim (të martën). Njerëzit do të dëgjojnë shumë lajme të rreme, por duhet të kenë durimin të presin komunikimet zyrtare nga Federata Senegaleze e Futbollit”.
“Ne nuk do të veprojmë bazuar në emocione, por në një mënyrë shumë të qetë dhe me mendje të kthjellët për t’i shërbyer më së miri interesave të Senegalit”, njoftoi Mbaye.
Federata Senegaleze ka emëruar një avokat sportiv me përvojë, i sigurt në ngritjen e një çështjeje të fortë ndërsa kërkojnë të përmbysin vendimin dhe ta rikthejnë titullin e fituar në fushë. /Telegrafi/





