Schmitti, Malcolmi e të tjerët i kërkojnë Prokurorisë t’i ndalë hetimet ndaj Gashit

Nëpërmjet një letre publike, historianë dhe albanologë ndërkombëtarë i kanë bërë apel Prokurorisë Speciale të Kosovës që të ndalë hetimet për Shkëlzen Gashin, autorin e ekspozitës që shpërfaqi të dhëna të pasakta për masakrat në Kosovë javën e shkuar...

Nacionale

Nëpërmjet një letre publike, historianë dhe albanologë ndërkombëtarë i kanë bërë apel Prokurorisë Speciale të Kosovës që të ndalë hetimet për Shkëlzen Gashin, autorin e ekspozitës që shpërfaqi të dhëna të pasakta për masakrat në Kosovë javën e shkuar.

Florian Bieber, Konrad Clewing, Krisztián Csaplár-Degovics, Sir Noel Malcolm, Robert Pichler, Albert Ramaj e Oliver Jens Schmitt, kanë thënë se nuk është normale që cilësia e një pune shkencore, bashkë me dobësitë e mundshme apo reale, të bëhet shkak për ndjekje penale nga shteti dhe se procese të tilla ndodhin zakonisht në shtete autoritare ose në demokraci të dobëta dhe të rrezikuara.

Ata i kanë bërë thirrje edhe opinionit publik që debatet historike të zhvillohen me më shumë maturi dhe qetësi.

Apel drejtuar Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës dhe opinionit publik në Kosovë

Si studiues që veprojmë jashtë vendit, ne, nënshkruesit, qëmoti merremi me tema historike që lidhen me Kosovën. Ndihemi gjithashtu ngushtë të lidhur me vendin e sotëm. Me kënaqësi kemi mundur të vëzhgojmë se si, paralelisht me lirinë e fituar në vitin 1999, edhe demokracia në Kosovë është konsoliduar gjithnjë e më shumë. Deri më sot, kultura e saj demokratike dallohet në mënyrë pozitive nga situata në shtetet fqinje, ku polarizimi politik përshkon të gjitha temat.

Megjithatë, zhvillimet aktuale të drejtësisë në lidhje me një debat që në thelb duhet të zhvillohet në mënyrë shkencore, na japin arsye për shqetësim të madh. Siç dihet, më 30 mars 2026, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka nisur hetime penale kundër përgjegjësit të një ekspozite, në qendër të së cilës qëndrojnë krimet e rënda të luftës të kryera nga forcat serbe në Kosovë në vitet 1998 dhe 1999. I dyshuari, pas një kontrolli në shtëpi, është marrë në pyetje për orë të tëra, ndërsa telefoni dhe kompjuteri i tij janë konfiskuar. Dyshimi fillestar i Prokurorisë Speciale lidhet me veprën penale “Nxitja e përçarjes dhe mosdurimit”.

Shqetësimi ynë nuk është i kufizuar vetëm te pasojat për autorin Shkëlzen Gashi. Shqetësimi ynë themelor ka të bëjë me dëmin që mund t’u shkaktohet kushteve strukturore hulumtuese për studiuesit, shtetit ligjor dhe kulturës së debatit demokratik në Kosovë.

Ky apel nuk synon të bëjë një analizë të detajuar të përparësive apo dobësive shkencore të librit të Shkëlzen Gashit apo me cilësinë e teksteve të ekspozitës (të cilat, siç ndodh me shumicën e lexuesve, i njohim vetëm në fragmente përmes raportimeve mediatike). Megjithatë, në punën shkencore është krejtësisht normale që, së pari, terminologjia edhe e pjesëve të veçanta të një teksti të jenë të kritikueshme dhe, së dyti, që autori – në rastin ideal – të reflektojë mbi semantikën e vet si pasojë e kësaj kritike. Pikërisht siç duket se po ndodh në rastin konkret.

Në të kundërtën, në demokracitë evropiane nuk është aspak normale që cilësia e një pune shkencore, bashkë me dobësitë e saj të mundshme apo reale, të bëhet shkak për ndjekje penale nga shteti. Duhet të na shqetësojë të gjithëve fakti që procese të tilla ndodhin zakonisht në shtete autoritare ose në demokraci të dobëta dhe të rrezikuara. Edhe një rast i vetëm mund të krijojë një precedent shkatërrues për marrëdhënien ndërmjet shkencës dhe shoqërisë. Dhe më keq akoma: mund të dobësojë në mënyrë thelbësore rendin demokratik të një vendi.

Prandaj, ne i bëjmë thirrje opinionit publik në Kosovë që debatet historike shkencore, edhe kur bëhet fjalë për tema të ndjeshme, të zhvillohen sa më me maturi dhe qetësi. Polarizimi partiak, siç ekziston tashmë në vendet fqinje, paraqet rrezik për demokracinë e Kosovës edhe në këtë nivel. Gjithashtu, u bëjmë thirrje institucioneve të drejtësisë dhe në veçanti Prokurorisë Speciale që vlerësimin e karakterit shkencor të një vepre t’ia lërë sërish komunitetit shkencor dhe një debati të lirë. Liria e shkencës dhe liria e shprehjes janë parime themelore të domosdoshme të shtetit ligjor dhe të demokracisë. Në këtë kuptim, i bëjmë thirrje konkrete Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës që të ndërpresë hetimet në lidhje me ekspozitën e ndërprerë para kohe në Prishtinë dhe autorin e saj.