Zv. kryeministri dhe Ministri për Çështje Evropiane (MÇE), Bekim Sali, mori pjesë në takimin ministror për integrimin evropian, më 26 nëntor në Tiranë, në kuadër të Samitit të Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor, në të cilën prezantoi progresin e Maqedonisë së Veriut në realizimin e Agjendës së Reformave.
Ai theksoi se vendi ka siguruar 142.1 milionë euro nga Instrumenti për Reforma dhe Rritje, ndërsa 22 hapa reformues, me vlerë të vlerësuar bruto mbi 112 milionë euro, janë raportuar në kërkesën e katërt për fonde dhe presin vlerësimin e Komisionit Evropian.

Ministri nënvizoi se përfitimet e integrimit tashmë janë të matshme. Deri në shtator 2026, përmes Zonës së Vetme të Pagesave në Euro (SEPA) janë realizuar mbi 581 mijë transaksione, me vlerë rreth 11 miliardë euro, duke gjeneruar kursime të vlerësuara mbi 5 milionë euro.
“Në fjalimin e tij, Sali vuri theksin edhe te modernizimi i vendkalimeve kufitare Deve Bair, Bllacë dhe Bogorodicë në kuadër të iniciativës së Korsive të Gjelbra, integrimi në zinxhirët evropianë të vlerës, harmonizimi i standardeve industriale, digjitalizimi dhe turizmi i qëndrueshëm. Ai paraqiti rezultatet e WiFi4WB, me mbi 204 mijë përdorues unikë, si dhe potencialin e iniciativave DigitMAK dhe Vezilka për transformimin digjital dhe inteligjencën artificiale.
Sali theksoi nevojën për mbështetje financiare të parashikueshme edhe pas vitit 2027 dhe për lidhje më të ngushtë ndërmjet reformave, investimeve dhe qasjes në tregun e vetëm evropian.
Ai riafirmoi se integrimi gradual dhe bashkëpunimi rajonal duhet të përforcojnë procesin e anëtarësimit të bazuar në merita, ndërsa anëtarësimi i plotë në Bashkimin Evropian mbetet objektivi strategjik i vendit”, thuhet në njoftimin e MÇE-së./Telegrafi/





