Të paktën tre persona janë vrarë dhe 25 të tjerë janë plagosur nga një sulm rus me raketa ndaj një zone të banuar në komunitetin Pisoçin, në periferi të Kharkivit, njoftoi policia e Ukrainës më 11 tetor.
Mes viktimave janë një djalë 16-vjeçar, një grua 19-vjeçare dhe një grua 51-vjeçare. Raketa goditi një zonë pranë një dyqani ushqimor dhe disa ndërtesave të banimit, duke shkaktuar viktima dhe dëme në një zonë civile, transmeton Telegrafi.
Në mesin e të plagosurve janë edhe dy vajza, përkatësisht 13 dhe 9 vjeçe. Të lënduarit kanë pësuar lëndime të ndryshme dhe po marrin trajtim mjekësor. Autoritetet nuk kanë bërë ende të ditur shkallën e plotë të plagëve të tyre.
Sulmi ndodhi gjatë një dite të përgjakshme në Harkiv, qytetin e dytë më të madh të Ukrainës. Më herët, më 11 tetor, dy bomba rrëshqitëse goditën distriktin Nemishlianski të qytetit, duke vrarë një person dhe duke plagosur të paktën tetë të tjerë.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, deklaroi se Rusia ka intensifikuar sulmet ajrore gjatë javës së fundit, duke përdorur bomba, raketa dhe dronë sulmues.
“Vetëm gjatë kësaj jave, rusët kanë lëshuar rreth 1.450 bomba ajrore, 75 raketa të llojeve të ndryshme dhe më shumë se 1.640 dronë sulmues, rreth 60 për qind e të cilëve janë me motor reaktiv”, tha Zelensky.
Rusia vazhdon të kryejë sulme vdekjeprurëse ndaj infrastrukturës civile dhe zonave të banuara në qytete të ndryshme të Ukrainës, ndërsa lufta vijon. Kharkivi mbetet një nga objektivat e shpeshta të sulmeve ruse, për shkak të afërsisë me vijën e frontit.
Goditja e fundit në Pisoçin shton numrin e viktimave civile dhe të plagosurve në rajonin e Harkivit, ku sulmet ndaj zonave të banuara vazhdojnë të rrezikojnë jetën e banorëve. /Telegrafi/






