Rreth 19 mijë persona në kantonin e Bernës do të përfitojnë subvencion për sigurimin shëndetësor

Bota

Rreth 19 mijë persona në kantonin e Bernës do të përfitojnë për herë të parë subvencion për sigurimin shëndetësor, pasi autoritetet kantonale kanë vendosur të rrisin kufirin e të ardhurave për personat që kanë të drejtë të marrin këtë mbështetje financiare. Masa e re do të hyjë në fuqi më 1 janar 2027 dhe synon […]

Madhësia e shkronjave

Rreth 19 mijë persona në kantonin e Bernës do të përfitojnë për herë të parë subvencion për sigurimin shëndetësor, pasi autoritetet kantonale kanë vendosur të rrisin kufirin e të ardhurave për personat që kanë të drejtë të marrin këtë mbështetje financiare.

Masa e re do të hyjë në fuqi më 1 janar 2027 dhe synon të lehtësojë barrën financiare të familjeve dhe qytetarëve, për shkak të rritjes së vazhdueshme të primeve të sigurimit shëndetësor.

Sipas njoftimit të autoriteteve të kantonit të Bernës, për këtë qëllim janë paraparë rreth 16.5 milionë franga shtesë, shkruan Swissinfo, transmeton Telegrafi.

Nga ndryshimi pritet të përfitojnë rreth 9 mijë e 200 ekonomi familjare, prej të cilave afërsisht 5 mijë e 200 janë familje me fëmijë, ndërsa rreth 4 mijë janë persona që jetojnë vetëm ose çifte pa fëmijë.

Përveç përfituesve të rinj, rreth 2 mijë e 500 persona që tashmë marrin subvencion do të përfitojnë mbështetje më të lartë, pasi me rritjen e kufirit të të ardhurave do të kalojnë në një kategori tjetër të përfitimit.

Me këto ndryshime, autoritetet presin që rreth 25.35 për qind e popullsisë së kantonit të përfitojë subvencion për sigurimin shëndetësor, duke përmbushur kështu kërkesën ligjore që kjo mbështetje të mbulojë së paku 25 për qind të banorëve.

Ndërkohë, nga viti 2028, kantoni i Bernës planifikon të ndajë edhe rreth 200 milionë franga shtesë për subvencionimin e primeve të sigurimit shëndetësor, në kuadër të zbatimit të kërkesave të reja federale.

Qeveritarja kantonale Aline Trede, drejtoreshë e Punëve të Brendshme dhe Drejtësisë, ka theksuar se rritja e primeve paraqet barrë të madhe për shumë familje dhe se masat e reja synojnë veçanërisht të ndihmojnë familjet me fëmijë dhe prindërit vetushqyes.

Sipas autoriteteve, rreth 95 për qind e të drejtave për subvencion përcaktohen automatikisht në bazë të të dhënave tatimore, pa pasur nevojë që qytetarët të paraqesin kërkesë të veçantë./Telegrafi/

Komentet