Fëmijë shqiptarë që ranë pre e rekrutimit nga ekstremistët e Xhihadit kanë ndarë për herë të parë rrëfime të detajuara për përjetimet e tyre traumatike, pas ndikimit nga prindërit dhe imamët radikalë.
Një prej tyre, Abdi, djali i cili ishte vetëm 8 vjeç kur u dërgua në Siri nga prindërit, rrëfeu për gazetaren e Top Channel, Anila Hoxha, detaje mbi përvojën e tij.
“Mbaj mend që babi im luftonte kundër Kurdëve dhe nga ata u vra, dhe më pas ne ishim në dorë të tyre. Ai ka luftuar edhe kundër Asadit. Mami thjesht qëndronte me ne në shtëpi. Kur shkon i vogël, qoftë i vogël qoftë i rritur, do mësohet dhe si bën më përshtypje, kur bombardojnë të kap një moment frika. Dhjetë vjet qëndrova në Siri, ika 8 vjeç dhe u ktheva 18 vjeç, kam parë masakra që nuk janë parë nga një fëmijë në atë moshë. Njëherë kam qenë në xhami dhe kishim afër një makinë, edhe e bombardoi avioni dhe shumë njerëz u plagosën se ishin afër xhamisë dhe duhej të ikje. Nuk kam marrë pjesë në luftime, isha i vogël. Lufta fillonte në orën gjashtë. Fillonin bombardimet nga ora gjashtë deri në gjashtë të mëngjesit. Ata bombardonin, gjuanin dhe ti duhet të tërhiqeshe avash-avash dhe s’ke ku vete më te ata. Ata bënë marrëveshje: nëse doni hajdeni po nuk deshët, do vriteni aty”, rrëfen Abdi.
Kreu i seksionit Kundër Krimit të Organizuar dhe Terrorizmit në SPAK, prokurori Vladimir Mara, ka deklaruar se rekrutimi i këtyre fëmijëve ka tërhequr vëmendjen e agjencive shqiptare dhe të huaja.
Ai tha se fëmijët janë ndikuar nga propaganda në rrjetet sociale dhe nga imamë të vetëshpallur, të cilët kanë ushtruar aktivitet jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut, duke i çuar këta persona drejt radikalizmit dhe përkrahjes së organizatave terroriste në Lindjen e Mesme.
“Ka patur propagandë në rrjetet sociale, por edhe ndikim të jashtëzakonshëm nga imamë të vetëshpallur të cilët kanë ushtruar aktivitetin jo vetëm në republikën e Shqipërisë por edhe në Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut duke i çuar këta persona drejt radikalizmit dhe për qasje të ndryshme nga ajo e fesë zyrtare. Ata janë rekrutuar nga imamët dhe më pas kanë shtuar pjesëmarrjen duke shpërndarë propagandën duke bërë të mundur radikalizmin deri në përkrahjen e organizatave në Lindjen e Mesme”, tha Mara.
Me përpjekjen që e panë si Xhihadi i tyre, 144 shqiptarë udhëtuan drejt Sirisë, përfshirë bashkëshortet dhe fëmijët, për një luftë që rezultoi si bashkim me ISIS, organizatë e shpallur terroriste ndërkombëtarisht dhe që pati fillimet si grup rebel kundër regjimit të Bashar Al Asad.
Mehmet Durishti, ish-drejtor i Qendrës Pritëse për të Kthyerit nga Siria, tha se ekipi i tij ka trajtuar gjithsej 28 fëmijë, disa prej të cilëve kishin lindur në Siri.
Ai theksoi se ka një diferencim të qartë midis atyre që kanë lindur në Shqipëri dhe atyre në Siri, pasi të vegjlit e lindur në Siri kishin përjetuar traumën e luftës nga më i vogli 1-2 vjeç, ndërsa fëmijët e lindur në Shqipëri ishin më të rritur dhe përjetuan traumat në mënyrë të ndryshme.
Psikologia Anxhela Peza u shpreh se fëmijët që kanë një prind të burgosur ose të humbur shpesh jetojnë në pritje dhe pa informacion të qartë për fatin e prindit.
“Të gjithë fëmijët që kanë një prind të burgosur ose që e kanë humbur janë fëmijë që janë edukuar se ai ka shkuar pranë Zotit. Ka fëmijë që mund të rrinë në pritje dhe pikëpyetje, sepse ato mund të jenë në burg, mund të kenë ndërruar jetë ose mund të jenë vrarë. Ata dinë vetëm informacionin e fundit, nuk ekziston një lidhje telefonike apo me anë të postës. Ka shoqata që lidhin njerëzit që janë atje me ata që janë këtu”, tha Peza.
– YouTube www.youtube.com






