Kokomani nënvizoi se në Shqipëri erdhi përmes kufijve tokësorë, nga Turqia.
Teologu Eni Kokomani, i ftuar në emisionin “Opinion” në Tv Klan rrëfeu përjetimet e tij, pasi lufta e fundit në Iran e gjeti atë në shtetin iranian.

Kokomani tha se kur ka ndodhur vrasja e Khamentit, ai ka qenë në një qytet iranian. Sipas tij, ka pasur shpërthime të fuqishme brenda Iranit. Ai tregon se ka punuar për Radio Televizionin Shtetëror Iranian. Kokomani nënvizoi se në Shqipëri erdhi përmes kufijve tokësorë, nga Turqia. Ai tha se në Iran jetojnë afër 15 shqiptarë.
“Unë kam 10 vite që jetoj në Iran. Jam konvertuar në shia. Unë jam nga Shijaku me origjinë. Kam studiuar për islamin në Iran. Mbarova studimet islame, pastaj kam punuar në Radio Televizionin Shtetëror Iranian, si gazetar, duke përkthyer lajmet nga persishtja në shqip. Pastaj kalova në radio. Kur nisën bombardimet, kam qenë në Iran. Isha në qytetin Kum, kur u vra Ali Khamenei. Në Kum ndodhën 9 shpërthime të fuqishme, që ishin shumë pranë nesh. Kam jetuar më shumë në qytetin e Kumit dhe kam punuar në redaksinë e Radio Televizionit Shtetëror në këtë qytet. Kur shpërtheu konflikti, kam udhëtuar në rrugë tokësore, drejt kufirit me Turqinë. Në Iran janë afër 15 shqiptarë. Në Kum isha unë bashkë me familjen time dhe aty jeton edhe një vajzë shqiptare, që është martuar me një iranian. Një miku im i ngushtë është kthyer në Shqipëri para meje, për të tjerët nuk kam informacione. Pasi ka ndodhur lufta, nuk kemi informacione se çfarë ndodh atje. Është e vështirë të hysh në internet në Iran. Nuk telefonon dot njerëzit në Shqipëri. Duhet të përdorje VPN. Frika, kur ndodhin shpërthime me raketa, ekziston përherë”, tha Kokomani.
Duke folur për protestat e fuqishme brenda në Iran, Kokomani deklaroi se ka pasur edhe protestues që kanë masakruar policët. Ai deklaroi se në Iran ka dhe parti politike, të cilat nuk mund ta ndryshojnë regjimin, por mund të japin ide, sesi gjërat mund të bëhen më mirë brenda vendit.
“Protestat e fundit, në fillim nisën për shkak të inflacionit e më pas kishte protestues që masakronin policët. Kur nisi sulmi ndaj policisë, efektivët thanë se policia ka të drejtë të vetëmbrohet. Ishin disa grupe që u përleshën me policinë. Sipas ligjit iranian, kushdo që i kundërvihet policisë, këta të fundit mund të reagojnë. Në Iran ka dhe parti politike, që nuk ndryshojnë dot regjimin, por mund të diskutojnë për mirëqenien e popullit. Në Iran thuhet se janë vrarë rreth 6 mijë vetë dhe për secilin ka ID personale. Është luftë e brendshme, ka dhe policë të vrarë”, u shpreh Kokomani.





