Rrahmani: LVV dhe Kurti tentuan ta eliminojnë politikisht Osmanin për kontroll të plotë të pushtetit

Deputeti nga Grupi Parlamentar i PDK-së, Eman Rrahmani, ka deklaruar se vendimi i presidentes Vjosa Osmani për shpërndarjen e Kuvendit ka qenë i drejtë, pasi sipas tij janë tejkaluar afatet kushtetuese për zgjedhjen e presidentit.

Në emisionin FIVE, Rrahmani ka theksuar se tashmë vendimi i takon qytetarëve për të zgjedhur një legjislaturë të re që do ta zgjidhë çështjen e presidentit.

“Ka qenë një vendim i drejtë pasi kanë kaluar afatet kushtetuese për zgjedhjen e presidentit. Tash mbetet te populli që të vendosë për një legjislaturë e cila do ta zgjidhë çështjen e presidentit, pasi kjo legjislaturë nuk ka pasur as vullnet e as mundësi për ta zgjedhur një figurë që do të ishte përfaqësuese dhe unifikuese për vendin”, ka deklaruar ai.

Rrahmani ka theksuar se pushteti ka pasur numrat për të propozuar dy kandidatë për president. Ai ka akuzuar Lëvizjen Vetëvendosje dhe kryeministrin Albin Kurti se kanë tentuar të vendosin opozitën para një akti të kryer.

“Sipas mendimit tim, pushteti ka pasur 66 vota me të cilat ka mundur t’i bëjë dy kandidatura, por kandidaturat janë përdorur me presion dhe shantazh ndaj deputetëve të opozitës për t’i detyruar që ta votojnë njërin prej tyre për president”, ka deklaruar Rrahmani.

Kushtetuesja po shqyrton kërkesën e Albulena Haxhiut për procedurën e zgjedhjes së Presidentit