Ronaldinho do të marrë një rol të veçantë dhe jo tradicional gjatë Kampionatit Botëror 2026, i cili do të zhvillohet në SHBA, Kanada dhe Meksikë.
Sipas raportimeve të “The Touchline”, transmetuesi brazilian TV Globo ka angazhuar ish-yllin e Barcelonës dhe përfaqësueses së Brazilit si figurën kryesore të mbulimit mediatik të turneut.
Roli i Ronaldinhos pritet të shkojë shumë përtej analizës klasike televizive.
Ai do të ketë funksionin e një “ambasadori lëvizës” gjatë gjithë Botërorit, duke qenë i përfshirë në disa aspekte të transmetimit:
Analiza live nga stadiumet gjatë ndeshjeve;
Vizita në kampet stërvitore dhe intervista me lojtarët;
Angazhim me tifozët dhe pjesëmarrje në evente speciale në destinacionet kryesore turistike në SHBA.
Në rrjetet sociale, ky angazhim është cilësuar si “roli më brazilian në historinë e televizionit sportiv”, një përshtatje ideale me personalitetin karizmatik dhe stilin e relaksuar që e ka shoqëruar Ronaldinhon gjatë gjithë karrierës së tij.
Përmes kësaj strategjie, TV Globo synon ta vendosë theksin jo vetëm te futbolli, por edhe te atmosfera festive dhe argëtuese e Kampionatit Botëror, duke shfrytëzuar popullaritetin global që Ronaldinho vazhdon të gëzojë edhe vite pas pensionimit nga futbolli aktiv. /Telegrafi/






