Sistemi aktual arsimor nuk është në hap me zhvillimet e reja teknologjike dhe kërkesat e kohës, vlerëson Darsej Rizaj nga Shkolla Digjitale.
Në “Përballje Podcast”, ai theksoi se edhe pse gjeneratat e reja janë më të avancuara, mungon një qasje e duhur në edukimin e tyre.
Sipas Rizajt, sistemi arsimor vazhdon të bazohet në modele të vjetra që nuk përputhen me realitetin aktual.

“Gjeneratat e reja janë jashtëzakonisht të avancuara, por me ta duhet me pasë kush me punu, sepse po vjen një riedukim i ri. Shkolla sot është e krijume për revolucionin e parë industrial… dhe sistemi i arsimit ka vazhdu qashtu edhe globalisht”, theksoi ai shkruan Telegrafi.
Ai shton se sfida kryesore është se nuk dihet saktësisht se ku po shkon zhvillimi teknologjik, ndërsa edukimi nuk po përshtatet me këtë pasiguri.
“Problemi është që as nuk e dimë ku ka me na çu ky zhvillim”, tha Rizaj.
Në këtë kontekst, ai kritikon mënyrën aktuale të mësimdhënies, e cila fokusohet kryesisht në memorizim.
“Po i mësojmë fëmijët me mbajt mend… fatkeqësisht”, deklaroi ai.
Sipas tij, sistemi duhet të ndryshojë drejt zhvillimit të mendimit kritik dhe aftësisë për zgjidhje problemesh.
“Duhet mi testu fëmijët sa kanë mendim kritik, me mujt me lidh tema të ndryshme dhe me zgjidh probleme”, përfundoi Rizaj./Telegrafi/.





