Udhëheqësit evropianë kanë mirëpritur marrëveshjen e armëpushimit SHBA-Iran, ndërsa kanë bërë thirrje për rihapjen e Ngushticës së Hormuzit dhe një fund të përhershëm të armiqësive, përfshirë edhe në Liban.
SHBA-të dhe Irani ranë dakord të martën për një armëpushim të kushtëzuar dyjavor, duke përfshirë një rihapje të përkohshme të Ngushticës së Hormuzit, pas diplomacisë së minutës së fundit nga Pakistani.
Ushtria izraelite tha të mërkurën, megjithatë, se po vazhdonte “luftimet dhe operacionet tokësore” në luftën e saj kundër milicisë libaneze Hezbollah, pavarësisht një deklarate nga ndërmjetësi Pakistan se Libani ishte përfshirë në armëpushim.

Dhe ndër të parët që ka reaguar ka qenë presidenti i Francës, Emmanuel Macron, e mirëpriti armëpushimin, por bëri thirrje që Libani, një ish-protektorat francez, të përfshihej në marrëveshje, përcjell Telegrafi.
Ai theksoi se rreth 15 vende u mobilizuan “nën udhëheqjen franceze” për të lehtësuar rifillimin e trafikut përmes Ngushticës së Hormuzit, ku rrjedh rreth një e pesta e naftës në botë.
E kryeministri i Spanjës, Pedro Sánchez, i cili ka qenë kritiku më i hapur perëndimor i luftës së Donald Trump në Iran, lëshoi një reagim tipik të drejtpërdrejtë.
Në një postim në X ai tha: “Armëpushimet janë gjithmonë lajme të mira – veçanërisht nëse çojnë në një paqe të drejtë dhe të qëndrueshme. Por ky lehtësim i çastit nuk mund të na bëjë të harrojmë kaosin, shkatërrimin dhe jetët e humbura”.
Edhe kancelari gjerman, Friedrich Merz, e përshëndeti armëpushimin dhe bëri thirrje për një fund të përhershëm të konfliktit.
Qëllimi tani është “të negociohet një fund i qëndrueshëm i luftës në ditët në vijim”, tha ai në një deklaratë. “Kjo mund të arrihet vetëm me diplomaci”.
Merz, ashtu si homologu i tij britanik, Keir Starmer, u përpoq të shmangte “armiqësimin me Trump” për shkak të sulmeve.
Starmer, i cili po udhëton për në Gjirin Persik të mërkurën, shkroi në X: “Së bashku me partnerët tanë duhet të bëjmë gjithçka që mundemi për të mbështetur dhe ruajtur këtë armëpushim, ta shndërrojmë atë në një marrëveshje të qëndrueshme dhe të rihapim Ngushticën e Hormuzit”.
Ndërkohë, shefja e politikës së jashtme të BE-së, Kaja Kallas, e cila po udhëton për në Arabinë Saudite, e përshkroi marrëveshjen si një “hap prapa nga pragu i greminës” pas javësh përshkallëzimi.
“(Marrëveshja) Krijon një shans shumë të nevojshëm për të zbutur kërcënimet, për të ndaluar raketat, për të rinisur transportin detar dhe për të krijuar hapësirë për diplomacinë drejt një marrëveshjeje të qëndrueshme”, shkroi ajo në X, duke kërkuar rihapjen e Ngushticës së Hormuzit.
Veç saj, edhe presidenti i Këshillit Evropian, António Costa, u bëri thirrje të gjitha palëve të mbështesin kushtet e armëpushimit “në mënyrë që të arrihet paqe e qëndrueshme në rajon”.
Dy ditë më parë, ish-kryeministri portugez kishte paralajmëruar se çdo “shënjestër e infrastrukturës civile, përkatësisht objekteve energjetike”, do të ishte “e paligjshme dhe e papranueshme. Kjo vlen për luftën e Rusisë në Ukrainë dhe vlen kudo”.
Ndërsa postimi i tij nuk e përmendi Trumpin, ai pasoi kërcënimin e presidentit amerikan për të zhdukur termocentralet dhe urat e Iranit.
Sekretari i përgjithshëm i Këshillit Norvegjez për Refugjatët, Jan Egeland, e përshkroi armëpushimin si “lajm të mrekullueshëm” për civilët në të dyja anët e Gjirit.
“Tani mund ta rrisim ndihmën për miliona refugjatë dhe të zhvendosur në Iran…”, shkroi ai në X. /Telegrafi/





